Kryetari i bashkisë së Kamzës Rakip Suli ka inspektuar ditën e sotme një ndërtim, ku leja e së cilës është dhënë nga ish-kryetari i bashkisë Xhelal Mziu, brenda parkut të liqenit të Paskuqanit në kundërshtim me studimin urbanistik, ku kjo zonë është zonë rekreacioni.
Siç deklaroi për mediet, kryebashkiaku Rakip Suli, u shpreh se ka një mori problemesh që ka Kamza aktualisht, por kjo është një nga më emergjentet.
Sipas tij ish-kryebashkiaku Xhelal Mziu ka dhënë më datë 29.07.2019, vetëm një ditë para zgjedhjeve, për një pronë në kundërshtim me studimin urbanistik, pasi është në shtratin e Liqenit të Paskuqanit. Ndërkohë që u shpreh se do të ngrejë një padi, kundrejt personave përgjegjës.
“Kamza tani ka një mori problemesh, por do ti rendisim sipas problematikave dhe nga ato më emergjentet. Ish-kryebashkiaku ka dhënë një leje ndërtimi me datë 29.07.2019. Në bazë të një vendimi të nxjerrë në vitin 2013, e gjithë kjo pjesë është planifikuar për Park Kombëtar. Është menduar që kjo zonë të ishte një Park Kombëtar. Dhe mendohet se edhe bulevardi kryesor i Tiranës do të vijë këtu ku jemi. Është dhënë kjo leje ndërtimi, brenda këtij territori duke shkelur të gjitha ligjet. Ky është është një vendim kriminal i miratuar me datë 29.07. 2019. Qyetarëve nuk u bëhet legalizimi dhe nga ana tjetër këto japim leje. Madje kjo është një pjesë me ujë. Jemi duke dhënë leje ndërtimi në shtratin e liqenit. Brenda muajit është marrë leja e ndërtimit. Këtu mendohet do të bëhet një park për të gjithë qytetarët e Kamzës. Do të ngrihet padi për këtë çështje dhe për të gjithë personat përgjegjës.”- u shpreh Suli.
Ndërkaq, Suli u pyet edhe për largimin e punonjësve të bashkisë, ku u shpreh se stafi do të vijojë të punojë.
“Nuk më ka vajtur mendja për largim. Nga stafi im do të jenë njerëz profesionistë. Kjo nuk ka për të ndodhur, çdo person që ka qenë i përgjegjëshëm dhe ka arsimin përkatës do të vijojë rrugëtimin me Rakip Sulin.”- deklaroi Suli.
(M.Q/Faxweb)