Më shumë se 100 persona janë ende të zhdukur pasi kontrabandistët i detyruan emigrantët të braktisnin varkat e tyre dhe të notonin në Detin e Kuq në brigjet e Xhibutit. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin deri më tani, 48 persona janë konfirmuar të vdekur.
Në incidentin e të hënës janë përfshirë dy varka që ishin nisur nga Jemeni për në Xhibuti me gjithsej 310 persona në bord. Të zhdukurit janë të paktën 108. Një mision kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar në zonë nga autoritetet e Xhibutit. Ngjarja ka ndodhur 150 metra larg një plazhi në veriperëndim të vendit. Një varkë mbante 100 persona, nga të cilët 99 mbijetuan, ndërsa tjetra kishte 210 persona.