Rastet e shpeshta të dhunës të shënuara gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale, përfshirë kanosjet me armë, por edhe shqetësimi mbi shitblerjen e votës, kanë shtyrë zëvendëskryeministren që të mbledhë Task-Forcën.
Incidentet, kjo dukuri shqetësuese që ka karakterizuar zhvillimet e këtyre ditëve, janë në rend dite të mbledhjes së sotme që do të nisë në orën 15:00. Flitet se kjo është një mbledhje jashtë rradhe, e treta që zhvillohet pas shqetësimeve të ngritura nga subjektet politike.
Flitet se në mbledhje do të ketë një raportim të veçantë për kanosjen e drejtuesit të LSI-së, Dega Berat, Krenar Shehu dhe rastet e tjera të dhunës të shënuara në Lezhë, Fushë-Krujë, Fushë-Arrëz, Pukë.
Një pikë e rëndësishme e rendit të ditës pritet të jetë plani i masave për trajtimin e incidenteve dhe diskutimi mbi çështjen e implikimit të punonjësve të Policisë së Shtetit në fushatë.
(XH.A/SHUPLAKA)