Dhuna në familje nuk ka të ndalur në vendin tonë. Ditë pas dite dëgjojmë për dhunë dhe kërcënime sidomos ndaj grave. Ndërkohë që një rast i tillë është shënuar edhe në Krujë gjatë ditës së sotme.
Gjithçka ka ndodhur në familjen e një oficereje të policisë. Pas sherrit për motive banale me bashkëshortin ajo është kërcënuar me jetë prej tij.
Ndërhyrja në kohë e policisë ka parandaluar një tragjedi në këtë familje duke arrestuar në flagrancë bashkëshortin e saj Genci Boja 54 vjeç, banues në Krujë.
Boja, mesditën e ditës së sotme, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip automatik, bashkëshorten e tij, shtetasen L.B. (Oficere Policie).
Ndërhyrja në kohë e policisë ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin furgon tip Benz, i’u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provave materiale: arma që donte të kryente krimin dhe 40 fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale”Dhunë në familje” dhe” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. (E.K/SHUPLAKA)