Diplomatë amerikanë dhe ata rusë u takuan të enjten në Stamboll për bisedime rreth operacioneve të ambasadave të tyre përkatëse në Moskë dhe Uashington.
Takimi është i fundit në një sërë këmbimesh mes dy palëve, përfshirë një telefonatë në fillim të këtij muaji midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Përpjekjet për rikthimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi ishin pjesë e agjendës në bisedimet e javës së kaluar mes Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov.
Pas atyre bisedimeve në Riad, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se të dyja palët kishin rënë dakord të krijonin “një mekanizëm konsultimi për të trajtuar problemet në marrëdhëniet tona dypalëshe me objektivin për të ndërmarrë hapat e nevojshëm, për të normalizuar funksionimin e misioneve tona përkatëse diplomatike”.
Marrëdhëniet diplomatike midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara janë keqësuar gjatë dekadës së fundit, me dëbime të ndërsjella diplomatësh.