Pas 110 vitesh ekzistencë shkolla e Tragjasit në Vlorë këtë vit nuk do të thotë “Mirësevini nxënës të dashur”.
Shkolla “Zonja Cure”, një nga të parat e gjuhës shqipe nuk do t’i çelë dyert këtë vit për shkak të reduktimit të ndjeshëm të numrit të nxënësve.
Ndërkohë që prindërit e fëmijëve, të pyetur nga gazetarja e ‘Fax News’ Afrovita Hysaj shprehen kundër mbylljes së shkollës, ndësa thonë se shumë prej nxënësve kanë zgjedhur Orikumin dhe Vlorën për t’u shkolluar.
“Shkolla ‘Zonja Cure’ e Tragjasit, është një nga tre shkollat e para shqipe, shkak është numri i ulët që kanë zgjedhur të arsimohen në këtë shkollë shumica e tyre kanë zgjedhur Orikumin ose Vlorën. Pjesa më e madhe duan që shkolla të mos mbyllet”, tha njëri nga prindërit e zonës.
Ndërkohë një tjetër u shpreh se është turp të mbyllet kjo shkollë e vjetër e gjuhës shqipe dhe historike.
“Nuk e kuptoj se si shkolla e dytë e republikës të mbyllet është një turp dhe një fatkeqësi”, tha ai.
Shkolla e Tragjasit është kthyer në shkollë të gjuhës shqipe në vitin 1908. Deri në vitin 1907 ajo ishte shkollë fetare. Ishte hapur nga turqit në vitin 1809.
Këtë vit shumë shkolla në të gjithë vendin janë mbyllur për shkak të numrit të reduktuar të nxënësve, por Ministria e Arsimit është justifikuar duke thënë se kjo ka të bëjë me mbylljen e klasave kolektive, pas testimeve që janë kryer në terren. (B.H/Faxweb)