Fundjavën e kaluar, me fitoren ndaj Fiorentinës, bardhezinjtë e Allegrit u rikonfirmuan kampionë të Serie A. Ky ishte titulli i tetë radhazi, i pesti me trajnerin livornez në drejtim. Një “diktaturë” e “Zonjës së Vjetër” në futbollin italian, por që nuk po e gjen dot rrugën për të pasur sukses edhe në Europë, më konkretisht në Ligën e Kampionëve.
Eliminimi që në çerekfinale, këtë sezon, ndaj Ajax, ishte një zhgënjim i madh në Torino, sepse kishte pritshmëri të shumta në këtë kompeticion, pas ardhjes së Ronaldos. Megjithatë, titulli në Serie A duket se e ka ëmbëlsuar sadopak situatën në kampin bardhezi, çka duket edhe në mënyrën e festimit (përtej kamerave). Një video e publikuar nga Sky Sport tregon prapaskenat në mjediset e brendshme të stadiumit “Allianz”, pas fitores me Fiorentinën.
Lojtarët e Juves, saktësisht Chiellini, Bonucci, Matuidi dhe Pjanic, e “rrëmbejnë” nga dhomat e zhveshjes trajnerin Allegri dhe e hedhin në një pishinë të vogël, ku e lagura me shpamanjë në fushën e blertë nuk është asgjë para ujit aty. Një dush për t’u shkundur mirë e lënë pas eliminimin nga Ajax, për të cilin Allegri mori mjaft kritika, u kryqëzua nga tifozët bardhezinj.