Çmimet e banesave pësuan rritje dyshifrore gjatë vitit 2016, duke shënuar ritmin më të lartë të paktën në pesë vitin e fundit.
Sipas një vrojtimi që bëri Banka e Shqipërisë indeksi i çmimit të banesave në rang vendi u rrit me 12.8%. Ky zhvillim është ndikuar nga rritja e vëllimit të shitjeve në zonat qendrore të kryeqytetit dhe nga rritja e çmimit dhe vëllimit të shitjeve në zonat e tjera.
Për zonën bregdetare, agjentët kanë raportuar rënie të çmimit mesatar dhe të vëllimit të shitjeve. Indeksi i çmimit mesatar për Tiranën vlerësohet 3.3% më i lartë në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar.
Për pronat tregtare, balanca neto e numrit të pronave është rikthyer në vlera pozitive (2.6%), ndërkohë që gjatë gjashtëmujorit të kaluar balanca neto shënonte -17%.
Numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka shënuar rënie të theksuar në krahasim me periudhën e kaluar. Vlen të theksohet se, që nga fillimi i vitit 2013, ky është rasti i parë i raportimit të një rënieje në numrin e pronave të pashitura.
Sipas agjentëve, rreth 68% e pronave për banim dhe për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Kjo shifër shënon rritje të lehtë në krahasim me vlerën prej 65% të raportuar në periudhën paraardhëse. Pjesa e çmimit të shitjes së pronës që është mbuluar me kredi (LtV) vlerësohet rreth 53%, ose diçka më lart në krahasim me periudhat e mëparshme.
Banka e Shqipërisë e bën vlerësimin e situatës në tregun e pasurive të paluajtshme përmes vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 agjentë të pasurive të paluajtshme dhe shoqëri ndërtimi, të cilët përfaqësojnë rreth 75-80% të popullatës së këtyre subjekteve për nga madhësia e aktivitetit.
Në përgjigje të pyetjes “Si e vlerësoni situatën e tregut në krahasim me periudhën gjashtëmujorin) e mëparshëm?”, balanca neto e përgjigjeve prej -8.2%, tregon se një numër më i madh agjentësh kanë dhënë përgjigje negative (më keq) sesa përgjigje pozitive (më mirë). Por, megjithëse vlerësimi i përgjithshëm mbetet pesimist, balanca e përgjigjeve është më pak negative se në gjashtëmujorin e kaluar (-33%), gjë që tregon një përmirësim të vlerësimit të përgjithshëm të subjekteve të intervistuara./ Revista Monitor