Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë vijon aksionin për lirimin e aktivistëve të arrestuar dhe zbardhjen e vdekjes së njërit prej tyre. Pesë aktivistë u vunë në prangat e Policisë së Kosovës të akuzuar për sulmin në Kuvend mbrëmjen e 4 gushtit.
Sipas Vetëvendosjes, aktivistët nuk kanë qenë të pranishëm natën e sulmit, përkundrazi ata kishin vendndodhje të ndryshme nga njëri-tjetri.
Ajo akuzon qeverinë për vdekjen e dyshimtë të aktivistit Astrit Dehari, i cili ndërroi jetë në burgun e Prizrenit, rast që u cilësua “vetëvrasje”. Ditën e sotme, aktivistët e VV-së kanë organizuar një protestë ku shprehen se nuk do të ndalen deri në zbardhjen e plotë të vdekjes së aktivistit dhe akuzave që rëndojnë mbi të tjerët.
Sipas tyre, “Shteti duhet dhe do të mbajë përgjegjësi”.