Pas kreut të Kuvendit Ilir Meta, edhe kryeministri Edi Rama i thërret kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, me nofkën e vënë nga opozita “Lali Eri”.
Duket sikur Rama e thërret me përkëdheli “Lali Eri”, ndryshe nga opozitarët, sepse edhe Veliajt duket sikur i bëhet qejfi kur ai i thërret ashtu.
“Sot kaluam planin e Tiranës dhe ambicia është shumë e qartë, të kemi qytetin apo kryeqytetin me hapësirë më të madhe këmbësore në Europën lindore. Por nuk është si ambicia që keni dëgjuar e Shqipërisë minisuperfuqi energjitike, këtë se kuptova kurrë edhe superfuqi dhe mini është shumë kontradiktore. Është ambicie reale e bazuar në një plan real dhe me një program real. Është një ambicie që gjithëkush mund ta definojë në letër ama jo të gjithë mund ta bëjnë realitet, duhet lali Eri dhe jo xhaxhi Luli. Me lali Erin ka punë me xhaxhi Lulin ka gjumë. Xhaxhi Lulit kur i del gjumi fillon dhe bërtet, duket sikur do zgjedhje të lira por në fakt do gjumë, rehatllëk, që të mos i prishë njeri terezinë. Kjo është koha që ne duhet të bëjmë një zgjedhje shumë të qartë mes Shqipërisë që kishim dhe Shqipërisë që duam dhe Shqipëria që kemi është prova që i ndihmon të gjithë ata që duan të bëjnë një zgjedhje të llogjikshme për të kuptuar se këtu nuk ka çfarë diskuton fare. Jemi ne që kemi dhënë provën e Shqipërisë që kemi.”, shprehet Rama.
Ndërkohë paraditen e sotme, kreu i Kuvendit Ilir Meta, teksa bënte një përurim me Veliajn, nuk ka hezituar as të krahasohet me të, duke u thënë hapur të gjithëve se nuk është aq trendy.”Unë nuk jam aq trendy sa Lali Eri”, ka thumbuar duke buzëqeshur Meta. (D.D/Shuplaka)