Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me shqiptaren Valbona Berisha, ndaj të cilës Italia lëshoi dy ditë më parë urdhër-arresti.
Emri i saj nisi të lakohet që në 2014-ën, kur ajo vendosi të braktisë bashkëshortin dhe dy vajzat për të shkuar në Siri. Valbona Berisha mori me vete vetëm djalin e mitur 6-vjeçar, fati për të cilët ende nuk dihet.
Mediat italiane shkruajnë së fundmi se Berisha u largua pasi u dashurua me një boss të ISIS-t, me të cilin u njoh virtualisht. Ajo vendosi të linte jetën e krijuar në Itali dhe të arratisej drejt Sirisë. Në rekrutimin e saj mësohet se kanë ndikuar së tepërmi dy persona, Shefqet Krasniqi dhe Omer Bajrami.
Shefqet Krasniqi, islamist ekstrem, imami i xhamisë në Prishtinë, është tashmë në pranga për rekrutim terroristësh, së bashku me predikuesin maqedonas Omer Bajrami, imam i xhamisë në Shkup në Maqedoni.
Një rrjet i gjerë personash me të cilët ajo mbante kontakt dhe për të cilët kryente kërkime, interesi i madh për Kalifatin, çuan më pas në njohjen me një boss të ISIS-it.
Lidhur me rekrutimin e saj, kushërira e Valbona Berishës tregon për takimin e fundit ku ndër të tjera Valbona tha se do të largohej për shkak se Afrimi (bashkëshorti) e dhunonte : “Ishim për darkë në shtëpinë e mamasë sime, kur Valbona tha se do të ikte në Siri, të ndihmonte në spitalet atje për ata që kishin nevojë.”