Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka humbur gjyqin me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjyq i nisur rreth një vit më parë. Gjyqtarja Arjana Liço rrëzoi padinë si të pabazuar në prova.
Në maj të vitit 2016, Kreu i Lartë i Shtetit paditi kryebashkiakun me vlerë simbolike 100 lekë për fyerje e shkaktim dëmi. Shkak u bë një deklaratë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës në daljen e tij atë kohë në emisionin “Opinion”, ku Veliaj lëshoi disa akuza në drejtim të numrit një të shtetit, duke theksuar se ka vjedhur pronën publike, atë të Kishës Katolike në Elbasan.
Në padinë e tij, Nishani kërkoi që drejtësia të hetonte nëse është Presidenti hajdut apo po përdhoset shteti shqiptar përmes shpifjes.
“Ju kam ftuar që të përcjell përmes jush tek opinioni publik dy çështje të rëndësishme shtetërore, për të cilat do sjell shqetësimin dhe për të dhënë kontributin e institucionit të Presidencës. Madje dhe për të vijuar më tej, procesin e zgjedhjes së këtyre problemeve. Çështja e parë ka të bëjë me disa deklarata publike, akuza publike në gjykimin tim të rënda adresuar nga një autoritet lokal ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Dëshiroj t’ju kërkoj të ndiqni edhe njëherë këto deklarata e më pas do përcjell tek ju këto çështje.
“Natyrisht që një njeri kushdo qoftë, ai që vjedh ka vetëm një emër, hajdut. Shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e institucionit të Republikës së Shtetit shqiptar një hajdut, shqiptarët nuk mund të kenë një hajdut për President. Hajduti e ka vendin në qeli, dënohet sipas ligjit. Kjo çështje i kalon për shqyrtim drejtësisë. Drejtësia duhet dhe ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore ose të verifikojë akuzat për të dënuar presidentin si hajdut ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë të përballet me ligjin. Kjo është një rrugë pa kthim, rrugë pa ndalesë. Unë ftoj edhe median të ndjekë gjykimin dhe sjelljen e drejtësisë.”, shprehej Nishani.
(XH.A/SHUPLAKA)