BE-ja duhet të frikësohet pasi po përballet me një rënie të ngadaltë dhe agoni, sipas një raporti të ish-kryeministrit italian Mario Draghi, që bën thirrje për një rritje të investimeve prej 800 miliardë euro në vit deri në fund të stanjacionit.
Duke paralajmëruar se pandemia Covid dhe lufta e Ukrainës kishin ndryshuar rregullat e tregtisë ndërkombëtare në dëm të BE-së, ai tha se bllokut i duheshin investime shtesë prej 750 miliardë deri në 800 miliardë euro në vit – ekuivalente me 5% të prodhimit vjetor ekonomik të BE-së – për të ndërtuar një ekonomi më elastike dhe rifituar ritme të larta të rritjes së produktivitetit.
“Ne jemi tashmë në gjendje krize dhe ta shpërfillësh këtë do të thotë të rrëshqasësh në një situatë që nuk dëshiron ta kesh”, thuhet në raportin e Draghi-t.
Duke renditur 170 rekomandime në një raport prej 400 faqesh, Draghi parashtroi zgjedhjet e zymta që liderët e BE-së duhet të përballen për të parandaluar rënien e mëtejshme ekonomike dhe trazirat sociale.
Draghi u ngarkua vitin e kaluar për të shkruar një raport se si BE-ja mund të nxiste rritjen duke lëvizur drejt një ekonomie më të gjelbër dhe dixhitale, që do të ishte konkurruese në një kohë të rritjes së tensioneve tregtare globale dhe konfliktit ushtarak.
Ai tha se rritja ishte ngadalësuar që nga fillimi i shekullit dhe ishte urgjente që vendet e BE të bashkoheshin dhe të koordinonin politikat për të kthyer situatën.
Në raportin e tij, Draghi shprehet se produktiviteti i Evropës ishte “i dobët, shumë i dobët” dhe kriza energjetike kishte treguar se si BE-ja duhej t’i jepte fund varësisë së saj tradicionale nga vendet e kontinenteve të tjera për burimet jetike të energjisë dhe lëndët e para.
Tregtia botërore po ngadalësohet dhe është bërë më pak e hapur ndaj vendeve evropiane, tha Draghi, duke shtuar se Evropa duhej të investonte më shumë në mbrojtje, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Një tjetër pengesë, tha Draghi, ëshë rënia e mprehtë e lindshmërisë që nënkupton, gjithashtu për herë të parë, se Evropa nuk mund të llogariste rritjen e popullsisë si faktor për të ngritur ekonominë kolektive.
“Rritja është ngadalësuar në Evropë për një kohë të gjatë dhe ne nuk mund ta injorojmë më atë”, tha ai, duke shtuar se “duhet të kuptojmë se po bëhemi gjithnjë e më të vegjël në krahasim me sfidat me të cilat përballemi”.
Ai shtoi se për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, ne duhet të kemi vërtet frikë për vetë-ruajtjen tonë.
Rritja e BE-së ka qenë vazhdimisht më e ngadaltë se ajo e SHBA-së në dy dekadat e fundit, tha ai, ndërsa Kina kishte subvencionuar shumë industri në një nivel ku ato mund të tejkalonin firmat e BE-së.
Raporti theksoi se si 30% e bizneseve fillestare të BE-së që ishin rritur për t’u vlerësuar në më shumë se 1 miliardë euro – të njohura si njëbrirësh – ishin zhvendosur jashtë vendit, dhe kryesisht për t’u listuar në tregjet e aksioneve në SHBA.
“Evropa në ditët e sotme ka ngecur në një strukturë statike industriale, e populluar nga kompani të teknologjisë së mesme. Firmat kryesore në shpenzimet e kërkimit dhe investimeve janë të njëjtat që kishim 20 vjet më parë – makinat tona”, shtoi ai.
E pyetur se ku do të gjente BE-ja deri në 800 miliardë euro për të investuar në industri të reja dhe për të ripërpunuar ato të vjetra, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se duhej të kishte një qasje të përbashkët për aksesin e fondeve, duke lënë të kuptohet se BE-ja mund të marrë hua për për herë të parë duke hyrë në tregjet ndërkombëtare të obligacioneve.
“Prioritetet e përbashkëta evropiane duhet të financohen nga paratë e përbashkëta evropiane”, tha ajo.
raporti i Draghi-t vjen në një kohë kur indeksi i besimit të investitorëve Sentix ra në -15.4 këtë muaj, nga -13.9 në gusht.
Sentix paralajmëroi se ekonomia e eurozonës po “kërcënonte të futej në recesion” dhe për këtë akuzon Gjermaninë për problemet që ka ekonomia e saj.