Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në Kosovë, ku një shqiptar ka vrarë me thikë bashkëshortin e kushërirës dhe ka plagosur këtë të fundit dhe djalin e saj.
Mediat në Kosovë bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në Gjakovë, në orët e para të mëngjeist të sotëm. Drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta, tha se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është shqiptari me iniciale I.V., i cili është larguar nga vendi i ngjarjes.
Graishta tha se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. “Rreth orës 03:00 të datës 07.07.2020 Policia në Gjakovë është informuar për një rast vrasje në fshatin Bardhaniq. Të gjitha njësitet relevante si njësitet patrulluese, hetuesia, forenzika, prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor i janë përgjigj vendit të ngjarjes. Mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës ndërsa dy personave tjerë iu është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore”, ka thënë Graishta.
Policia e Kosovës bën me dije se ka bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit kryesor të kësaj ngjarje, shtetas i Republikës së Shqipërisë.