Shefi ekzekutiv i “Tesla”-s, Elon Musk sulmoi ashpër shtypin përmes një serie mesazhesh në “Twitter”.
Madje, ai tha se planifikon që të krijojë një faqe interneti, që do të vlerësojë besueshmërinë e lajmeve dhe burimeve.
Ideja duket se është motivuar nga lajmet e fundit për kompaninë e tij “Tesla”, që ai mendon se janë të padrejta. Kompania është bërë objekt i raporteve investigative për kushtet e punës në fabrikë dhe shqetësimet për sistemin e frenimit të makinave të saj elektrike.
Gjithashtu ka pasur raporte për aksidente, ku janë përfshirë makinat “Tesla”, gjë që sipas Muskut është e njëanshme, duke konsideruar numrin e madh të aksidenteve të makinave të tjera.
“Problemi është se gazetarët janë nën presion të vazhdueshëm që të marrin sa më shumë klikime dhe parà nga publicitetet, përndryshe pushohen nga puna. Situatë me kleçkë, pasi Tesla nuk bën publicitete, por kompanitë e karburanteve dhe makinave me djegie të brendshme janë mes reklamuesve më të mëdhenj”, shkruan Musk në mesazhet e tij.
Për këtë arsye, Musk tha se do të krijojë faqen e internetit që do të përdoret për të matur besueshmërinë e medieve. Musk tha se ka ndërmend ta quajë atë “Pravda”, si gazeta e Partisë Komuniste në ish-Bashkimin Sovjetik./tch