Pas tërheqjes nga futbolli çdo lojtar mendon për një punë tjetër që lidhet me këtë sport, si trajner apo drejtues në një klub.
Gjithsesi Mario Basler është një histori më vete në aventurën e tij si mesfushor i krahut të majtë. Karrierën e filloi në vitin 1987 kur kaloi nga ekipi i Kaiserslautern U19 tek ekipi i parë. Për të vijuar rritjen derisa arriti tek Werder Bremen në vitin 1993, aty ku qëndroi tre vite dhe fitoi dy Superkupa dhe një Kupë të Gjermanisë.
Më pas suksesi i madh ishte kalimi tek Bayern Munich, aty ku fitoi tre tituj kampion në Bundesliga dhe 4 Kupa dhe një Superkupë të Gjermanisë. Në vitin e parë tek skuadra bavareze Basler pati sukses edhe në kombëtare pasi në vitin 1996 u shpall kampion Europe me Gjermaninë.
Pas Bayern Munich mesfushori gjerman u rikthye tek Kaiserslautern, më pas luajti një vit në Katar me skuadrën e Al Rayyan, ku lajmëroi edhe tërheqjen nga futbolli.
Por, më vonë u kthye në fushën e blertë në disa skuadra në liga të ulëta në Gjermani, teksa në vitn 2013 u duk se u ndal përfundimisht me skuadrën e TuS Russigne, që asokohe ishte në ligën e 7-të të Gjermanisë.
Megjithatë Basler u kthye po tek kjo skuadër në vitin 2018, këtë herë në ligën e 6-të, ku luajti në 5 ndeshje dhe shënoi një gol.
Karriera duket se po i vjen në “tatëpjetë”, sepse tani, në moshën 50-vjeçare do të luajë e skuadrën e Tsg Eisenberg, që militon në ligën e 8-të. Ai do të luajë në të njëjtin ekip me djalin e tij, Mauricion.