Mëgjithëse ishte rikonstruktuar nga Bashkia Tiranë në vitin 2016, shkolla “Emin Duraku”, e cila ndodhet në zonën e ish-Bllokut ka pësuar dëme shumë serioze nga tërmeti i 26 nëntorit.
Një aktekspertimi i firmosur nga dy inxhinierë ka dalë në përfundimin se shkolla ka dëmtime në strukturë, çka është kërkuar që të pezullohet aktiviteti derisa të bëhen përforcimet dhe të kontrollohen të gjithë elementët e nevojshëm pasi të hiqen të gjitha suvatë.
Lidhur me dëmtimet seroze ka reaguar edhe gazetari Edi Oga, i cili ka vajzën e tij në këtë shkollë, duke kërkuar që të nisë menjëherë hetimi dhe vendosjen përpara përgjegjësisë së personave/institucioneve që kanë çertifikuar sigurinë e këtyre godinave.
“Shkolla “Emin Duraku” ku mëson edhe vajza ime, është dëmtuar seriozisht dhe e shpallur e papërshtatshme për frekuentim. Nëse tërmeti do të kishte ndodhur në kohë mësimi, fëmijët mund ta kishin pësuar. Si prind, kërkoj hetimin dhe vendosjen përpara përgjegjësisë së personave/institucioneve që kanë çertifikuar sigurinë e këtyre godinave. Pas kësaj, pres që të ndërhyhet profesionalisht për riparimin e saj dhe çertifikimin zyrtar.”- shkruan Edi Oga.
(M.Q/Faxweb.al)