Ditën e djeshme u krye arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj me akuzën për shpërdorim detyre, pasi dyshohet të ketë tjetërsuar pronat në zonën e quajtur “Rana e Hedhun”.
Nga raportimet e mediave, pjesë e personave që kanë blerë tokë në këtë zonë, janë edhe prindërit e Etrit Berishës, portierit të kombëtares shqiptare të futbollit.
Përflitet se ata kanë blerë tokë te zona e quajtur Rana e Hedhun, nga personat që i kanë tjetërsuar këto prona.
Në këtë skandal janë përfshirë shumë figura të njohura edhe në aspektin sportiv, si Renato Malota, apo presidentët e ekipeve të Besëlidhjes dhe Shënkollit.
Por prindërit e gardianit të kombëtares, kanë reaguar pas përmendjes së emrit të tyre në skandalin e pronave në Lezhë, ku ata kishin blerë një sipërfaqe toke. Për “Report TV”, prindërit e portierit shqiptar shprehen se nuk dinin gjë në lidhje me problemet që kishte në ato prona, por thjesht kanë paguar çmimin për tokën.
“Blemë 400 metra tokë, për faktin se e gjetëm me çmim të lirë. Nuk e dimë se çfarë problemesh kanë dalë” – thanë ata.
(E.L/Faxweb)