Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka deklaruar se protesta e 16 marsit e paralajmëruar nga opozita me të cilën synohet rrëzimi i qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, do ti arrijë objektivat e saj.
Sipas Dumës, kjo ka për të qenë protesta me pjesmarrjen më masive që është mbajtur ndonjëherë në vend, dhe duke folur edhe për vendimin e opozitës për të djegur mandatet, ajo tha se opozita nuk merret me llafollogji por ndërmerr masa radikale dhe sakrifica ekstreme.
”Protesta do të jetë më e gjatë dhe e qëndrueshme, pjesë e rrugëtimit që kemi nisur për një qëllim final, që është qeveria tranzitore, e cila do të sigurojë padyshim zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Duma për A2.
Lëvizjet dhe vendimet e kohëve të fundit të opozitës kanë marrë kritika të forta jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Për disa radikalizmi i tyre shënon një krizë të brendshme dhe mungesë alternative, por Duma e mohon këtë gjë, madje deklaron se, “ nuk ka patur një moment më të lartë në frymëzim për strukturat e PD”.
“Partia Demokratike që bën sakrifica ekstreme, merr masa radikale, tregon qartazi se është forcë politike që nuk mbetet brenda skemës. Çdo forcë politike që qëndron brenda skemës dhe që mbahet me llafollogji, është ajo që është në krizë”, deklaroi më tëj Duma.
Lidhur me një nga vendimet më të fundit të Partisë Demokratike më përjashtimin nga kjo parti të deputetes Rudina Hajdari, e cila refuzoi ti bashkohej vendimit të grupit për të djegur mandatin, vendim i cili u komunikua në Twitter nga sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi, Duma u shpreh:
“Vendimi i takon forumeve, dhe kur forumet vendosin një gjë për njërin, ajo duhet të zbatohet për të tjerët, kështu funksionon në një organizatë, kush është figurë politike me trashëgimi politike di të tregojë veten, politika ka uljet e ngritjet e veta, dhe që historia njeh rikthimet”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)