Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar lidhur me të përjashtuarit nga Partia Demokratike, as për Topallin, Bregun, Patozin, Boden, Imamin, as për kërkesën e tyre për ta larguar Bashën gjatë ditëve që ndoqën publikimin e listave të kandidatëve demokratë pë deputetë.
Deri më sot, ai ka zgjedhur të heshtë duke ndezur kureshtjen se çfarë mendon ai për këto vendime të kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha. Në një intervistë të dhënë për Lutfi Dervishin, ende e papublikuar, disa pyetje të së cilës janë zbardhur nga “Lapsi.al”, mësohet qëndrimi i Berishës, i cili sërish nuk tregohet mjaft i qartë në përgjigjet e tij.
I pyetur për të përjashtuarit, ai është shprehur se është njeriu i fundit që mund të pyetet për problemet e brendshme: “Njeriu i fundit që mund të pyetet për problemet e brendshme jam unë. Statusi im është i tillë. Çdo lloj qëndrimi publik do më nxirtte nga statusi i një njeriu të dorëhequr përgjithmonë.”
Duke dalë disi në mbrojtje të Bashës, ai është shprehur se “kryetari ka të drejtë të ketë listën e tij.” Sa për kërkesën Topalli-Imami për largimin e menjëhershëm të Bashës nga kreu i PD-së, Berisha ka zgjedhur të mos bëjë asnjë koment.
“Kryetari aktual ka përcaktuar që do të bëjë zgjedhjet e parties.”, i është përgjigjur Berisha pyetjes se ç’do të ndodhë me Bashën nëse humbet.
(XH.A/SHUPLAKA)