Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer pas banesës së shefit të Stacionit të Policisë Theth, shtetasit Prele Milani. Nga shpërthimi fatmirësisht ka vetëm dëme materiale dhe jo lëndime në njerëz. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 21:45, në lagje “Guerrile” Shkodër.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor ku vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Bëhet e ditur, se komandanti i postës në Theth sapo kishte dalë nga shtëpia në momentin që ndodhi shpërthimi. Në banesë ndodheshin bashkëhsortja dhe e bija e tij.
Sasia e lëndës plasëse e dyshuar si tritol është vendosur në pjesën e pasme të banesës së policit në zonën e Zooteknikës. Tritoli ka shpërthyer afër një barake ku nuk jeton askush dhe përdoret si magazinë nga familja.
Pavarësisht shpërthimit polici Prelë Milani nuk e ka kuptuar se ka ndodhur në banesën e tij duke qenë se është me një oborr të madh dhe ka vijuar rrugën për të dalë në punë. Ai është lajmëruar më tej nga familjarët për ngjarjen.
Vetë polici Milani ka dyshime se kjo ngjarje ka ardhur për shkak të detyrës si polici dhe komandant poste në Theth, për shkak të problematikës në kultivimin e drogës. Efektivi është përballur shpesh herë me asgjësim të lëndëve narkotike si pjesë e policisë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 04.01.2020, rreth orës 21:45, në lagje “Guerrile” Shkodër, mbrapa banesës së shtetasit P. M. me detyrë shef i Stacionit të Policisë Theth, Shkodër, ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse, për pasojë ka vetëm dëme materiale.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor ku vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.