Ditën e djeshme gazeta e parë opozitare në vendin tonë ‘’RD” kishte 27-vjetorin e saj të themelimit. Me këtë rast PD-ja kishte organizuar një takim me njerëz të medias dhe jo vetëm.
Në fotot të bie në sy prania në këtë takim e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, dhe mungesa e Edi Ramës. Kryemadhi ka zgjedhur një veshje sport, ku bie në sy bluza e kuqe.
Po ashtu një prani vërtet për t’u veçuar është ajo e Astrit Patozit, mbetur jashtë Kuvendit dhe një nga kundërshtarët më të fortë të Bashës. Në njërën nga fotot Basha dhe Patozi shfaqen pranë, po ama nuk komunikojnë mes tyre.
“Në 27 vjetorin e themelimit te gazetës Rilindja Demokratike dua të uroj të gjithë gazetarët. Festa e RD-së është festa e lindjes së fjalës së lirë dhe gazetarisë së lirë në Shqipëri, ndaj ajo është festa e të gjithëve.
Askush tjetër nuk ka bërë më shumë se RD në fillimet e saj për kultivimin e një brezi të ri njerëzish të medias dhe të fjalës. Shumë nga ata që më vonë luajtën një rol të madh në median dhe demokracinë e vendit, e mprehën penën në redaksinë e RD-së. Gëzuar!”, shkruan vetë kreu i PD-së, Basha.
(E.K/FAXWEB)