Britania nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian. Ky vend i ka dhënë fund anëtarësisë 47-vjeçare në bllokun evropian, duke e lënë atë me 27 anëtarë.
Britania tani e tutje do të konsiderohet nga BE-ja si shtet i tretë dhe Përfaqësimi i saj i Përhershëm në këtë bllok do të shndërrohet në mision të jashtëm.
Pas largimit, Mbretëria e Bashkuar do të hyjë në një periudhë tranzitore 11-mujore, në të cilën do të zbatojë rregullat e bllokut evropian mirëpo nuk do të përfaqësohet në institucionet e tij.
Kjo periudhë pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Vendimi për largimin e Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.
Epokë e re për Britaninë
Mbështetësit e Brexitit e kanë konsideruar këtë ngjarje si fitore, si “ditë të pavarësisë” dhe nisje të një epoke të re për shtetin e tyre. Disa prej tyre janë dëgjuar duke kënduar “Zot ruaje Mbretëreshën”, derisa të tjerë janë përqafuar nën dritën e fishekzjarreve.
“Lufta ka përfunduar, ne fituam”, ka thënë Nigel Farage, udhëheqës i fushatës për largim të Britanisë nga BE-ja. “Ky është një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të shtetit tonë”, ka thënë mes tjerash ai.
Një mbështetëse e Brexitit ka festuar në orët e para të së shtunës para sheshit të Parlamentit. “Absolutisht, është gëzim dhe optimizëm”, ka thënë Emma Sandercock, shtetase britanike.
Liderët më të fuqishëm të BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, e kanë konsideruar largimin e Britanisë si moment të trishtë dhe pikë kthese për Evropën.
Lexo edhe:
VIDEO/ Do të ndodhte! Pak orë para Brex-it, flamujt britanikë hiqen nga ndërtesat e BE-së
(E.K/Faxweb.al)