Fundoset në Portin e Durrësit anija e peshkimit “Anyway” e cila para një muaji u kap në kuadër të operacionit “Disel” me 80.000 litra naftë .
Anija është fundosur në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe pritet të nxirret pasdite. Deri më tani nuk ka informacion për shkaqet që çuan në mbytjen e anijes.
Më herët Gjykata e Durrësit ka vendosur arrest me burg për kapitenin dhe mekanikun e anijes, të cilët kanë futur në mënyrë ilegale 80 mijë litra naftë në Durrës.
Flamur Aliu dhe Nuri Xheka kishin dalë në det me anijen “Anyway”, pa njoftuar kapitenerinë dhe Policinë Kufitare, me qëllim marrjen e një sasie prej rreth 80.000 litrash naftë dhe futjen e saj kontrabandë që dyshohet se vinte nga Italia.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë gjetën të përshtatur një depozitë në peshkarexhën e këtyre shtetasve, për mbajtjen e naftës së kontrabanduar. Peshkarexha, së bashku me sasinë e naftës, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.