Me anë të një njoftimi zyrtar, Gjykata Kushtetuese, ka bërë të ditur se ka pranuar pjesërisht kërkesën e partisë Bindja Demokratike dhe Lëvizjes Demokratike Shqiptare. Pra sipas vendimit të publikuar, Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht kërkesën e dy partive lidhur me financimin e partive politike dhe gjithashtu ka shfuqizuar pikën 3 të nenin 163 të Kodit Zgjedhor, mbi ndarjen e mandateve sipas herësit, pasi bië në kundërshti me Kushtetutën.
Çfarë parashikon neni 163/3 që u rrëzua nga Kushtetuesja:
Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.
Ky vendim nuk ndikon në ndarjen e mandateve të zgjedhjeve të 25 Prillit, por vlen për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
Vendimi i Plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë “Bindja Demokratike” dhe partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese
VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.