Në videon e siguruar nga Fax News shfaqen këshilltarët e Këshillit të Bashkisë Gramsh pas miratimit të buxhetit për vitin 2025. Në sallën e mbledhjeve u zhvilluan debate të ashpra mes opozitës dhe pozitës, ndërsa në rrjetet e tyre sociale këshilltarët kanë shprehur akuza dhe mllefe të ndërsjella për keqmenaxhim dhe shpërdorim fondesh.
Por duket se pas mesnate, kur shumica janë duke fjetur, tensionet janë zbutur. Në videon e publikuar, shihet kreu i PD-së duke hedhur valle krah për krah me kreun e PS-së, ndërsa të tjerët i bashkohen festës. Mesa duket, “torta” e buxhetit për 2025 u nda në mënyrë që të plotësohen dëshirat e të gjithë këshilltarëve.
Në një postim publik, kreu i PD-së ka komentuar miratimin e buxhetit, duke deklaruar:
“Këshilltarët e majtë të Bashkisë Gramsh, mes debatesh të ashpra me këshilltarët e opozitës, miratuan njëzëri buxhetin për vitin 2025.”
Sipas tij, buxheti i miratuar është si më poshtë:
•3.8 miliardë lekë për paga.
•1.8 miliardë lekë për shpenzime operative.
•Vetëm 1.4 miliardë lekë për investime.
Kreu i PD-së kritikoi këtë shpërndarje duke theksuar se buxheti nuk i adreson aspak nevojat reale të qytetarëve. Ai përmendi mungesën e ujit të pijshëm në fshatra si Kabash, Tunja, Silarja, Duzhë, si dhe rrugët e papërfunduara në zona si Kukur, Kishtë, Mazrekë, Poroçan dhe Kushovë. Po ashtu, ngriti shqetësimin për mungesën e sistemeve vaditëse, që janë të domosdoshme për banorët e zonës.
“Propozimi ynë për ta rishikuar buxhetin, në mënyrë që ai të adresonte këto probleme emergjente, u hodh poshtë,” shkruan ai.
Kjo situatë kontradiktore mes debateve të ashpra gjatë ditës dhe festimit të përbashkët gjatë natës ngre pyetje mbi sinqeritetin e përfaqësuesve dhe përkushtimin e tyre për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Ndërkohë, qytetarët mbeten me shpresën që ky buxhet të sjellë përmirësime konkrete, megjithëse shqetësimet e tyre duket se janë lënë në hije.