Emisioni “Historia ime” ditën e sotme solli historinë e një nëne që prej 23 vitesh është duke rritur e vetme 3 fëmijët e saj, për shkak se bashkëshorti i ka braktisur.
Hanme Suli 57 vjeçe tregoi se pas ardhjes në jetë të djalit të tretë, bashkëshorti shkoi në emigracion, por që atëherë nuk u kthye më. Pak kohë më vonë ajo mësoi se ai kishte ikur me një tjetër femër, me të cilën bashkëjeton sot dhe ka një fëmijë.
Në vitin 2004, bashkëshorti u kthye në shtëpi, por djali i vogël nuk e njohi. Ai qëndroi vetëm dy javë dhe u largua sërish. Hanme nuk arrin të kuptojë sesi një baba i dashur si ai braktisi fëmijët, u ktheu kurrizin dhe nuk u interesua më për ta.
Ju keni 3 fëmijë?
Hanme Suli: Po!
Mbas djalit të tretë, ai u largua përfundimisht nga shtëpia?
Hanme Suli: Kur isha shtatzënë me djalin e dytë më ndodhën disa gjëra familjare, ekonomia. Borxhet që kishte marrë vetë burri, u detyrova të shisja shtëpinë dhe kam ikur në një kasolle. Dhe fisi dhe sot e kësaj dite më thotë pse e shite shtëpinë? Unë e shita si e si, që ai të ishte me familjen.
Shleve borxhet e atij?
Hanme Suli: Po!
Po pse merrte borxh?
Hanme Suli: Nuk e di. As sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar.
Djali i dytë lindi në kasolle?
Hanme Suli: Po! Ngela shtatzënë dhe me të tretin. I thashë mos shko në Greqi, se ikte dhe nuk e marr vesh pse ikte se nuk sillte gjëra financiare. U detyrova i thashë rri ti, mbaj fëmijët se po shkoj unë në punë. U detyrova ika unë në punë, kur djali i vogël ishte 2 vjeç.
Sa zgjati kjo situatë?
Hanme Suli: Zgjati deri në ’98.
Pastaj ç’ndodhi më pas?
Hanme Suli: ’98-’99 kemi pasur debate gjithë kohës, se i thosha o mos ik, ose të ikim të gjithë. Ai iku dhe nuk u kthye më. Tha do t’ju marr dhe ju atje me gjithë fëmijët, mirë i thashë unë, por kishte ikur me personin që është dhe sot. Pavarësisht se prishi dhe familjen tjetër, me familjen tjetër ishte i kërcënuar.
Ti ke shkuar atje ku ishte ai në Greqi?
Hanme Suli: Po isha vjet.
Si shkove në shtëpinë që ai kishte krijuar me një grua dhe fëmijë tjetër?
Hanme Suli: Vajta se më dolën problem tokash, shtëpia. Se atë kasollen e shita pastaj, shita dhe tokë dhe bleva një ndërtesë ku jam sot.
Sa vjet kishe pa e takuar?
Hanme Suli: Ai erdhi në 2004-n, se isha e sëmurë, isha gati një vit e sëmurë nga nervi isha rëndë.
Vjen bashkëshorti që kishte ikur që në ’98?
Hanme Suli: E keqja ishte se djali i vogël nuk e njihte, se e la të vogël. Vjen dhe ju thotë vëllezërve, hajde se ka ardhur një burrë në shtëpi. Unë isha tek shtëpia e vëllait dhe ai vjen. Ndenji 2 javë sa bëri pasaportën. Kjo më bën çudi si mund të ndahet një njeri nga familja, 3 fëmijët i mbante. Njeriu ka 2 krahë, ai i mbante 2 në dy krahët dhe tjetrin në qafë. Edhe më bëri përshtypje, si mund të lërë ai fëmijët dhe të iki t’ju kthejë kurrizin, më ka vrarë gjithë jetën kjo. Nuk e kuptoj./tvklan.al