Hamasi dhe Izraeli shprehën qëndrimet e tyre të mërkurën në prag të bisedimeve mbi thirrjen e Uashingtonit për armëpushim në Rripin e Gazës.
Derisa grupi militant i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe fuqitë e tjera la të kuptohej se është i hapur për një marrëveshje, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se “nuk do të ketë Hamas” në Gazën e pasluftës.
Asnjëra palë nuk tha troç se e pranon propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Hamas këmbënguli në qëndrimin e vet të kahershëm se çdo marrëveshje duhet të sjellë përfundimin e luftës në Gazë.
Trump tha të martën se Izraeli ishte pajtuar për një armëpushim 60-ditor në Gazë dhe i bëri thirrje Hamasit ta pranojë marrëveshjen para se të përkeqësohen edhe më shumë kushtet për të.
Presidenti amerikan është duke e rritur trysninë mbi Qeverinë izraelite dhe Hamasin që të arrijnë pajtueshmëri për armëpushim, marrëveshje për pengjet dhe për t’i dhënë fund luftës.
Trump tha se koha prej 60-ditësh do të përdorej për të punuar drejt përfundimit të luftës. Por, Izraeli thotë se nuk do ta pranojë përfundimin e luftës derisa Hamasi të jetë mposhtur.
Trump theksoi se marrëveshja mund të arrihet qysh javën e ardhshme.
Por, reagimi i Hamasit, që theksoi kërkesën e vet për përfundimin e luftës, ngriti pikëpyetje nëse oferta e fundit nga ai mund t’i ndërpresë vërtet luftimet.
Zyrtari i Hamasit, Taher al-Nunu, tha se grupi militant është “i gatshëm dhe serioz për të arritur një marrëveshje”.
Ai theksoi se Hamasi është “i gatshëm ta pranojë çdo nismë që qartazi çon në përfundimin e plotë të luftës”.
Një delegacion i Hamasit pritet të takohet të mërkurën në Kajro me ndërmjetës nga Egjipti dhe Katari për të diskutuar propozimin, sipas një zyrtari egjiptian që foli në kushte anonimiteti.