Ditën e sotme kryeministri Rama vijoi thirrjet ndaj grave naftëtare për të hequr dorë nga greva e urisë nëse ato duan të ulen në bisedime me të.
Në lidhje me këtë fakt ka reaguar dhe ish-deputetja demokrate Albana Vokshi, e cila ka shpërndarë në facebook një video të kryeministrit Rama të 4 viteve më parë, ku ai i premtonte naftëtarëve se do të merrnin pagat e prabambetura dhe do të riktheheshin me kontrata në vendin e punës.
Duke demaskuar fjalët e Rams me gjendjen e naftëtarëve, Vokshi i bën thirje kryeministrit të paguajë djersën e vjedhur deri në qindarkën e fundit për naftëtarët.
Postimi i plotë: Edi Rama të heqë dorë nga presioni mbi gratë greviste në Ballsh. Askush s’i beson më atij, pasi ka shkelur disa herë premtimin për rihapjen e rafinerisë dhe marrjen e pagave të prapambetura.
Në 17 shtator, naftëtarët e Ballshit ishin para dyerve të qeverisë në Tiranë për të kërkuar dialog. Edi Rama nuk i përfilli. I la burra e gra të pashpresë me arrogancën e një kryeministri që nuk di çfarë do të thotë të mos kesh mundësi t’u japësh darkë fëmijëve.
Gratë greviste në Ballsh janë në të drejtën e tyre.
Harbutëria dhe cinizmi i Edi Ramës, që u vendos kushte grevisteve për t’i mashtruar prapë, është fytyra e korrupsionit që shkatërron jetët e shqiptarëve.
Edi Rama ka vetëm një rrugë me grevistët: T’u paguajë djersën e vjedhur deri në qindarkën e fundit.