Ari Kosta Papa, i datëlindjes 02.10.1989, nga fshati Dhiver i Sarandës, i njohur me pseudonimin “Ari vogël”, nuk rezulton të ketë fotografi as në rregjistrin e gjendjes civile të Sarandës e Finiqit, por as në sistemin TIMS. Në Shqipëri ai është një “fantazëm”, edhe pse një ish-oficer i policisë së Sarandës, i cili kërkon që identiteti i tij të mbetet i fshehtë, shprehet se: “Arin e vogël e njoh vetëm si emër, por të dhënat e mia e lidhin atë ndoshta me krime të ndodhura në Sarandë në vitet 2005-2006 ose me protagonistë banorë të Sarandës në Athinë në vitet e mëpasshme”.
Megjithatë në Greqi, Ari Papa është një person me background të pasur kriminal. Ai ishte i skeduar për trafik droge dhe grabitje, por ajo që e ngarkonte më tepër historinë e tij ishte tentativa për ta eleminuar fizikisht, edhe jo njëherë, por tre herë, aq sa ai lëvizte rrugëve të Athinës me anti-plumb. Herën e katërt, ata që e deshën të vdekur, ia arritën qellimit. Pak minuta para se ora të shënonte 18.00, 32-vjecari nga Saranda u qëllua pas shpine 8 herë me pistoletë, teksa pinte kafe në bar “Kayak” në rrugën “Dyrrahu 30” në Sepolia.