Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, lexoi sot emrat e delegatëve pjesëmarrës në takimin e 18 dhjetorit në Pallatin e Kongreseve, shkruan newsbomb.al. Mirëpo disa orë pas konferencës së Bardhit ka ardhur dhe përgënjeshtrimi i parë.
Ilir Dervishi, delegat i PD thotë se nuk ka marrë pjesë në Kuvendin e 18 dhjetorit siç pohoi sot Bardhi, por ka marrë pjesë në atë të 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, për shkarkimin e kryetarit aktual të Partisë, Lulzim Basha.
Postimi i plotë i Ilir Dervishit:
Sqarim për demokratët e Krujës dhe të gjithë miqtë e mi..!
Sot nga selia e Partisë Demokratike më është përmendur emri nga dy deputetë si pjesëmarrës në mitingun e datës 18 dhjetor.
Dua të sqaroj se unë kam marrë pjesë në të vetmin kuvend legjitim, atë të 11 dhjetorit i thirrur nga delegatët, dhe me 18 dhjetor kam qenë pjesë e proçesit të referendumit në grupin e punës së degës së Krujës.
Ngjashmëria ime e emrit me një funksionar tjetër të PD nuk ka të bëjë me mua si individ, dhe dua të përgënjështroj përdorimin e emrit tim, përkushtimi im është në zbatim të vullnetit të demokratëve krutanë dhe shqiptarë për një PD: #MëTëBashkuar #MëTëFortë #MëTëHapur