Fax News bën me dije se klubi i Vllaznisë ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp pas dhunës së ushtruar ndaj lojtarëve dhe stafit teknik, pasditen e sotme në stadiumin e qytetit të Peshkopisë në ndeshjen e vlefshme për kategorinë e parë në mes Korabit dhe Vllaznisë B.
Gjatë gjithë ndeshjes, nga vendasit është ushtruar dhunë psikologjike ndaj futbollistëve dhe stafit teknik e kjo dhunë ka agravuar edhe më tej, edhe në dhunë fizike teksa në minutat e fundit të ndeshjes janë goditur futbollistë të ekipit të Vllaznisë.
Protagonisti i gjithë kësaj dhune ka qenë administratori i KS Korabit, Fehmi Mëziu.
Bëhet me dije se nga goja e tij ka dalë edhe fjala “plumb” drejtuar ndaj një futbollisti 17-vjeçar të Vllaznisë.
Përmes deklaratës për mediat, KF Vllaznia ka dënuar ashpër dhunën e shfaqur sot në Peshkopi nga drejtuesit e Korabit dhe i bën thirrje FSHF të ndërhyjë për të neutralizuar veprime të tilla.
Mësohet se klubi i Vllaznisë ka bërë të ditur që do të tërheqë ekipin nga kampionati nëse nuk merren masat e duhura ndaj ngjarjes së sotme në Peshkopi.
(E.L/Faxweb)