Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Anit-Korrupsion kanë arrestuar rreth orës 15:00 të ditës së sotme prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi, si dhe shoferin e tij, Isuf Gega. Paraprakisht dyshohet se prokurori Karriqi akuzohet për korrupsion, pasi ka rënë në rrjetën e përgjimeve të SPAK, nga një dosje që Prokuroria e Posaçme ishte duke hetuar për drogë.
Burime bëjnë me dije që prokurori është arrestuar në shëtitoren e Lushnjës sëbashku me shoferin e tij, ndërkohë që hetuesit kanë bastisur dhe shtëpinë e tij për të ushtruar kontroll.
Në pranga kanë përfunduar dhe dy shtetas të tjerë ende të paidentifikuar nën akuzën e “Korrupsionit aktiv”.
Prokurori Edmond Karriqi është sjellë me automjetin e drejtuesve të policisë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Pritet deklarata e SPAK për të hedhur më shumë dritë mbi personat e ndaluar si dhe dosjen për të cilën ata akuzohen për korrupsion.
Kujtojmë se Karriqi ka qenë edhe prokuror i çështjes së këngëtares Fjolla Morina, e cila u kap me armë zjarri në pikën kufitare të Morinës.
Sot Morina është në arrati edhe pse është dënuar në mungesë më gjashtë vite burg nga Gjykata e kukësit. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka bërë dhe një kërkesë për shpalljen në kërkim ndërkombëtar për këngëtaren nga Kosova.
Me rrëzimin e akuzës për trafikun e armëve Kosovë- Shqipëri prokurori Karriqi ka pasur dhe një përplasje me drejtuesen e prokurorisë së kukësit Rita Gjati, e cila pohoi asokohe se akuza për trafikun e armëve qëndronte dhe për këtë rast bëri një relacion në gjykatë ndaj prokurorit.