Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Industrisë së Qumështit, Donjaldo Hoxha ka folur sot në një intervistë për Fax News për “ngërçin’” që po pëson ky sektor.
Hoxha u shpreh se fuqia blerëse e qumështit dhe nënprodukteve të tij ka rënë nga 15 në 20% dhe pavarësisht kërkesave të kësaj shoqate në komisioniet parlamentare, qeveria ende nuk ka një paketë lehtësuese për blegtorët dhe tregtarët. Ai theksoi ndër të tjera se nëse situata me çmimet vijon të jetë e tillë, kjo industri rrezikon të ‘zhduket’ nga tregu në pak kohë, pasi konkurrenca nga prodhuesit e vendeve të rajonit është tepër e lartë.
“S’pati asnjë kërkesë të miratuar, u përpoqëm të ndihmonim blegtorinë dhe industrinë e qumështit. Jemi paraqitur në komisione parlamentare për të ndihmuar sektorët përkatës, me 3 kërkesa. Përafrim të skemave subvencionuese për çdo litër qumësh të licensuar, do ti ndihmonte shumë blegtorët dhe garanton që produkti të kalojë në filtra kontrolli.
Ne jemi koshientë që shteti mbahet me të ardhurat e gjeneruara nga biznesi, ne prandaj duam një bazë më të tatueshme. Nuk dihet kur prodhohet, kush e përpunon dhe ku shitet.Të rritet baza e tatueshme, rriten dhe të ardhurat e ministrisë së Financave për sektorin e blegtorisë. Sot që ne flasim ka një rënie të fuqisë blerëse krahasuar me vendet e rajonit, TVSH-ja 6% do na kthente në konkurrues, aktualisht jemi duke humbur në raftet e supermarketeve.
Aktualisht mendojmë se sektori i përpunimit ka bërë çmos për të mbajtur kostot, por nëse kemi presion nga produktet e importit dhe nuk do ia dalim dot në treg. Nga çmimi i naftës dhe energjisë elektrike, është e pamundur të mbajmë për një kohë të gjatë këto presione. Fuqia blerëse ka rënë nga 15% në 20%”-tha Hoxha.
(E.D/faxweb.al)