Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot se, Kuvendi ka rol të pazëvendësueshëm për të garantuar gjithëpërfshirjen në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e saj në konferencën ndërkombëtare “Forcimi i rolit të parlamentit në vendimmarrjen e bazuar në të dhëna”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në kryesinë e Kuvendit, Spiropali tha se, “problemi ynë nuk është të forcojmë rolin e Kuvendit në vendimmarrjen e mbështetur në të dhëna, por të mbështesim gjithnjë e më shumë, procesin dhe veprimtaritë parlamentare, mbi të dhënat dhe rezultatet e kërkimit shkencor”.
Prandaj, shtoi ajo, “do të preferoja të diskutonim mbi rolin e vendimmarrjes së mbështetur në të dhëna në fuqizimin e ushtrimit të funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë”.
Spiropali nënvizoi se, “kjo qasje i përshtatet më shumë pritshmërive kombëtare, publike e politike mbi rritjen e rolit të Kuvendit në stadin e sotëm të zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe të konsolidimit të institucioneve dhe vlerave demokratike”.
Kryeparlamentarja theksoi se, Shqipëria ka hyrë në një stad tjetër zhvillimi.
“Pas Konferencës së Dytë Ndërqeveritare të 15 tetorit dhe hapjes së negociatave për grup-kapitujt “Themeloret”, anëtarësimi në BE nuk është më një ideal, apo një ambicie, apo një slogan, por është një objektiv strategjik kombëtar, të cilin duhet të punojmë për ta mbërritur brenda 2030-ës”.
Këtu, shtoi Spiropali, “Kuvendi ka rolin e vetë të pazëvendësueshëm për të garantuar të gjithë legjitimitetin demokratik dhe gjithëpërfshirjen në proces”.
“Nga të gjitha degët e qeverisjes, Kuvendi padyshim ka përgjegjësinë më të madhe në këtë sfidë dhe lidhet me 3 përgjegjësitë e drejtpërdrejta tona. Lidershipi në procesin e anëtarësimit, garantimin e këtij legjitimiteti të plotë dhe të gjithë përfshirjes, jo vetëm sigurisht të deputetëve të shumicës dhe opozitës të cilët e kanë detyrë të jenë në Kuvend dhe të jenë pjesë e këtij debati, por edhe shoqërinë civile, edhe median, edhe Akademinë, edhe të rinjtë, edhe grupet e interesit, të cilët procesin e integrimit nuk mund ta shohin më si një slogan, por si një proces që ndryshon standardet dhe që ndryshon proceset, që ndryshon ligjet dhe përshpejton reformat”, tha Spiropali.
Ajo shtoi se, “në këtë aspekt të tretë, sigurimin e kohezionit të legjislacionit shqiptar me legjislacionin e BE-së, mbështetja në të dhënat dhe rezultatet e kërkimeve është domosdoshmëri. Dhe është më tepër se kurrë sot një nga funksionet më të rëndësishme të Kuvendit, edhe për shkak të rolit të ri që Kuvendi ka marrë me ligjin e ri për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit”.
Kryetarja e Kuvendit, nënvizoi se, “përafrimi nuk është thjesht një proces teknik, por një proces adaptiv, i cili kërkon përkthimin e standardeve ligjore të BE-së, në ligje për Shqipërinë evropiane, por dhe në ligje që i përshtaten kontekstit tonë politik dhe social”.
“Për të mundësuar që të prodhojmë një legjislacion shqiptaro-evropian të qëndrueshëm, është e nevojshme që përafrimi dhe kohezioni ligjor të paraprihet nga studime të mirëfillta me një diapazon shumë të gjerë shoqëror. Ekonomia dhe degët e saj, tregjet, pronat, sistemi i mirëqenies dhe sigurisë sociale, institucionet, të drejtat, liritë dhe detyrat e qytetarëve, për të përmendur vetëm disa prej tyre, kërkojnë vrojtime dhe studime profesionale”, tha Spiropali.
Ajo shtoi se, prej kohësh Kuvendi ka filluar aplikimin e disa modeleve inovative, të cilat kanë modernizuar shërbimet parlamentare dhe i kanë bërë ato më kontribuese ndaj funksionit legjislativ dhe kontrollues në Kuvend.
“Një ndër to është metodologjia për vlerësimin postlegjislativ e aplikuar kohët e fundit nga Kuvendi, e cila synon të verifikojë dhe të rrisë mbikëqyrjen mbi ligjet pas miratimit të tyre, pra në procesin e zbatimit”, tha Spiropali.