Kur flasim për punësimin kemi parasysh se është një ndër temat më sensibël në vend, kjo për shkak edhe të numrit të lartë të të papunëve. Sipas shifrave të INSTAT numri i të papunëve është 208 mijë, ndërkohë qeveria pretendon se ka hapur 300 mijë vende pune. Shumë persona i drejtohen agjencive të punësimit për të gjetur një vend pune, por sa të rregullt janë ato me veprimtarinë e tyre?
Mbrëmjen e sotme, emisioni investigativ “BOOM” në televizionin Ora Neës sjell rastin e agjencive të punësimit, të cilat shkelin ligjin për të qenë një shërbim i ofruar pa pagesë për punëkërkuesit.
INVESTIGIMI
Sot emisioni Boom do të sjellë fakte se si agjencitë private të punësimit e shkelin këtë vendim të këshillit të ministrave, në vend që ta zbatojnë.
Kompania e punësimit që kërkon lekë nga punëkërkuesi
Shkojmë të kërkojmë punë në një agjenci private punësimi, “Alba Punësim” quhet, me zyra te rruga e Durrësit, në katin e dytë të një pallati. Aty specialistja e rekrutimeve pasi na shpjegon që kompania e tyre merret me ndërmjetësim për punësim na jep një formular ta plotësojmë me të dhënat tona, në fund të këtij formulari shkruhet: Në rast punësimi i detyrohesh kësaj kompanie punësimi një pagë neto. Madje punonjësja të sqaron që ke mundësi ta paguash dhe me dy këste. Pra nëse paga është 400 mijë lekë, të paguash, 200 muajin e parë 200 muajin e dytë. “Është detyrim ndaj kompanisë tonë për shërbimin që ofron për ju” thotë ajo .
Gazetari nënshkroi dhe firmosi.Por kur kërkoi një kopje të kësaj marrëveshjeje i thanë sot nuk na punon printeri….!!!
Specialistja e rekrutimeve: Përshëndetje!
Gazetari: Përshendjetje! Si kaluat?
Specialistja e rekrutimeve: Keni takim?
Gazetari: Jo s’kam lënë takim por erdha të interesohem njëherë.
Specialistja e rekrutimeve: Po, urdhëroni.
Gazetari: Tani pak a shumë lexova në “Facebook” dhe nuk është se kam ndonjë informacion kush e di se çfarë.
Specialistja e rekrutimeve: Ne bëjmë ndërmjetësime e thënë shkurt, ti plotëson një formular të tillë ku përcakton kushtet e tua në një farë mënyre. Çfarë të intereson nga agjencia dhe çfarë kushtesh, qoftë për pagën, qoftë për profilin dhe gjera të tilla. Në momentin e parë që na paraqitet diçka, që nuk mund të ta them në afat ne këtë afat apo në një moment tjetër, sepse varet gjithmonë nga klientët kur kanë vende vakante, të telefonojmë. Intervista e parë bëhet këtu tek ne me menaxheren që të infromon paraprakisht, pa dijeni të klientit që je i interesuar për atë pozicion që të bësh një vlerësim fillestar nëse dëshiron të vazhdosh më tej. Në rast se po më pas bëjmë rekomandimin zhvillojmë një takim te klienti që të bisedosh më nga afër me të dhe në rast se punësohesh i detyrohesh agjencisë një pagë neto. Por që e shlyen me dy këste.
Gazetari: I detyrohem agjencisë Alba Punësim?
Specialistja e rekurtimeve: Po, ne.Një pagë që është në përputhje me pagën që ti do paguash, pro që e shlyen edhe me dy këste.Në mënurë që jot ë punosh gjithë muajin e parë dhe të na i sjellësh ne.
Gazetari: E kam dhe këtë mundësi të paguaj me këste?
Specialistja e rekurtimeve: Po, për shembull e zëmë është paga 400 mijë lekë, ti paguan 200 kur të marrësh rrogën e parë dhe 200 kur të marrësh rrogën e dytë. Ekziston mundësia me këste dhe pikërisht për këtë, për ti ndihmuar kandidatët në mënyrë që dhe jut ë merrni diçka, se fundja punoni një muaj dhe normal do të kesh dicka nga ajo.
Gazetari: Po e kuptoj, në rregull.
Specialistja e rekurtimeve: Ok, plotëso të dhëmat nga emër, mbiemër dhe vendet bosh më pas.
Gazetari: Do kem kopje apo jo?
Specialistja e rekurtimeve: Ne sot për fat të keq nuk na punon as internet as prinetri, nuk e di çfarë ka.
Intervista me Iris Bajo, drejtore rekrutimesh
Por në treg ka dhe kompani serioze të cilat tregojnë anën tjetër të medaljes, atë të zbatimit të këtij vendimi.
Iris Bajo, drejtore rekrutimesh në “The headhunter Group” tregon me çfarë merret kompania private e punësimit që ajo drejton dhe kush duhet ta paguajë detyrimin për këtë ndërmjetësim:
Bajo: Kompania jonë bën atë që ka detyrim çdo kompani punësimi të bëjë. Ndërmjetëson , lehtëson procesin e punësimit. Është si një urë lidhëse midis punëdhënësit dhe punëmarrësit. Ne kemi një portal pune që nuk është vetëm në funksion të “The headhunter Group” por është në funksion , shërbim dhe dispozicion të të gjitha kompanive të cilat kërkojnë të punësojnë dhe publikojnë vende vakante. Te portali karriera .al gjithkush mund të regjistrohet, të ngarkojë dhe CV pa ndonjë destinacion specifik, thjesht të jetë në database-n tonë.
Gazetarja: Nëse ofrohet një shërbim dhe dikujt i garantohet një vend pune, kush paguan për këtë, punëdhënësi apo punëmarrësi?
Bajo: Dokumenti apo rregullatori më tipik i këtij aktiviteti është vendimi 708, dt. 16.10.2003 i Këshillit të Ministrave . Aty përcaktohet qartë se cilat janë detyrimet, funksionet dhe të drejtat e kompanive të punësimit, njëkohësisht të punëdhënësve dhe punëmarrësve. Neni 4 i këtij vendimi parashikon që për shërbimet e ndërmjetësimit të punësimit, në mënyrë kategorike nuk duhet të paguajë punëmarrësi, ai që duhet të paguajë është punëdhënësi. Ky vendim parashikon që në rast se ky rregull shkelet, kompanisë së punësimit i hiqet dhe licensa. Për fat të keq ka pasur kandidatë që na kanë thënë që i është kërkuar një pagesë për shërbimet e ofruara të punësimit, zakonisht me aq sa kemi informacion është ekuivalente me 1,2, deri në 3 paga mujore në varësi të kompanisë.
Intervista me Shefen e Sektorit të Inspektimit
Shefja e Sektorit të Inspektimit: E kam rishikuar me shumë rëndësi pjesën e ligjit. Ky vendim ka dalë në funksion të nenit 19 të Kodit të Punës , i cili flet për rregullimin e marrëdhënieve të punës, ku një mundësi është dhe agjencia private e punësimit. Sigurisht e licensuar nga shteti. Pjesa e licensimit nga 2009 i ka kaluar Qendrës Kombëtare të Licensimit, sipas ligjit të lejeve dhe licensave. Thelbi i kësaj VKM-je për funksionimin nuk besoj që ka ndryshuar në raport me pjesën e pagesës nga punëkërkuesit. Punëofruesit duhet të jenë ata që duhet të pagujanë shpenzimet. Sipas VKM 708 Inspektorati i Punës është ai që ushtron kontroll në tregun e punës, dhe bëjmë kontroll për marrëdhëniet e punësimit brenda agjencisë, se edhe vetë agjencia ka të punësuar, por kërkon dhe mënyrën e funksionimit duke qenë se është institucion që është brenda Ministrisë së Mirëqënies. Ju mund të na i sillni këtë lloj denoncimi. Të na adresoni problematikën, bëjmë verifikimet tona, parë në këndvështrimin tonë dhe të vijojmë me rrugën institucionale.
LEGJISLACIONI
Qeveria ka nxjerrë një vendim atë me nr.708 datë 16.10.2003, i cili ka rregulla të qarta në lidhje me mënyrën si duhet të funksionojë agjencitë private të punësimit.
Në këtë vendim thuhet:
“Veprimtaria private e ndërmjetësimit në punë të ushtrohet vetëm nga agjencitë private të punësimit të licensuara pas përmbushjes së kërkesave të përcaktuara në këtë vendim”.
Në pikën 4 dhe 5 të këtij vendimi sqarohet:
“Shërbimet e agjencisë për punëkërkuesit janë falas. Agjencia nuk e ngarkon punëkërkuesin me asnjë detyrim financiar të drejtpërdrejtë ose të tërthortë”.
Pika 5 thotë:
“Shpenzimet për shërbimin e ndërmjetësimit të kryera nga agjencia të përballohen nga pala punëdhënëse.”
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1821″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]