Kryetari i LDK-së Isa Mustafa nuk pret që bisedimet për arritjen e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen të zgjasin gjashtë muaj sikurse në vitin 2014, por paralajmëroi se në rast të dështimit të marrëveshjes, atëherë si parti do të shkojnë në opozitë.
Ai këto komente i bëri pas takimit të Këshillit të përgjithshëm të LDK-së.
Mustafa tha se LDK do të vazhdojë t’i përgjigjen ftesës së VV-së për takimet e ardhshme.
“Vlerësojmë nëse ka vullnet politik, do të ketë besim reciprok, çështja e marrëveshjes mund të arrihet. Parimi që u tha sot se pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozitat me të cilat do të sfidohet ky koalicion qeverisës në këto katër vite dhe këto pozita të jenë në harmoni me koalicionin tonë, ose tetë vjet më vonë dhe jo si koalicion që të sfidohet nga momente të caktuara si zgjedhja e presidentit”, tha Mustafa.
I pyetur se a ka presion ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes, kryetari Mustafa tha se nuk është takuar me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, por me ambasadorët e QUINT-it nga të cilët ka kërkuar ndihmën e tyre në procesin e arritjes së marrëveshjes për formimin e koalicionit qeverisës.
Lidhur me atë nëse problemi qëndron te posti i presidentit, Mustafa tha se në vitin 2014 ishte formuar koalicioni i atëhershëm pas gjashtë muajsh, por tash pret që kjo të kryhet më herët edhe pse nuk ka një gatishmëri e VV-së që postin e presidentit ta ketë LDK-ja.
“Çështja e presidentit është njëra prej çështjeve që duhet të diskutohet dhe konsideroj se nuk është çështje që domosdo do të na bllokojë, por është çështje zotimi. Do të vazhdojmë me VV se a jemi serioz apo jo dhe nuk shoh asnjë pengesë që VV-ta japë një zotim që ta përkrahë atë pozitë që ta ketë LDK-ja ashtu sikurse ne ia japim VV-së për pozitën e kryeministrit”, u shpreh Mustafa.
Ai ka bërë të ditur se në momentin që VV i fton për bisedime, LDK-ja është e gatshme.
Lidhur me çështjen e Ministrisë së Brendshme që ajo t’i takojë LDK-së, Mustafa nuk deshi të komentojë këtë duke thënë se të gjitha ministritë janë të rëndësishme.
Derisa kreu i VV-së Albin Kurti ka thënë më herët se mund të kërkojë emrin nga radhët e LDK-së për president, kryetari Mustafa tha se ende nuk kanë përcaktuar emra për president dhe as për ministra, as për zëvendës ministra dhe as për kryetar të Kuvendit.
“Emrin e kandidatit për president do ta japim në momentin e procedurës së zgjedhjes së presidentit. Vetëvendosja na ka pyetur a keni plan B. Ne u kemi thënë se plani ynë është që të shkojmë në opozitë. Nëse s’e bëjmë koalicionin, nuk bëjmë asnjë marrëveshje me partitë tjera dhe nuk e presim as presidentin. Jeni të sigurt se nuk ka plane tjera”, u shpreh kryetari Mustafa.