Naim Stafuka, të cilit gjatë ditës së djeshme iu vu një sasi tritoli në banesë, ka folur për Fax News në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme. Stafuka ka thënë se nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë, ka parë se autori ka qenë një dhe ka zbritur nga një makinë në ngjyrë gri.
“Lënda eksplozive u vendos dje në orën 22:00, nëmomentin e ngjarjes isha me familjen dhe fëmijët në banesë’. Autorin e pashë nga monitorët e kamerave të sigurisë, ishte një person që zbriti nga një makinë gri, ishte i vetëm.
Autori ishte me kapele dhe me maskë anti- Covid. Kam patur kërcënime edhe dy vite më parë. Mendoj se ngjarja ka lidhje me zhdukjen e vëllait tim, Enverit.
Gjithçka që pashë e kam treguar në polici. Deri tani nuk ka asnjë të dyshuar për zhdukjen e vëllait tim. Prokuroria thotë po hetojmë, deri tani s’ka asnjë zhvillim”, tha për Fax News Naim Stafuka.
Burime bëjnë me dije se Stafuka dhe familja e tij jetojnë në katin e tretë të banesës ku u vendos lënda plasëse, ndërkohë që lokali në katin e parë është dhënë me qira prej tij.
Lokali është i pajisur me kamera sigurie, që janë sekuestruar nga grupi hetimor, dhe pritet që të hedhin më shumë dritë rreth ngjarjes.
Në vendngjarje ka mbërritur mbrëmjen e djeshme dhe drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit.
Vetë Stafuka bëjnë me dije burimet, nuk është parë që të jetë i pranishëm në vendin ku u hodh tritoli.
Nga shpërthimi me tritol fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, dhe ngjarja lidhet kryesisht me një paralajmërim ndaj Naim Stafukës, i cili pak muaj më parë thyeu heshtjen për zhdukjen e vëllait të tij, duke lakuar dhe emrin e Durim Bamit si të dyshuar të mundshëm.
“Kam qenë duke ecur me makinë, më kanë ndaluar me maskë, më kanë thënë: “Po fole më, do të të çojmë tek vëllai yt”,” tha Naim Stafuka në intervistën e bërë në nëntor 2021. (Shiko ketu intervisten e plote)
Duket se personat që e kanë kërcënuar nuk kanë vonuar për ti dhënë një tjetër mesazh familjes Stafuka. Siç ndodh përherë pas ngjarjeve të tilla kriminale, policia thotë se po punon për zbardhjen e tyre, edhe pse tashmë kanë kaluar vite nga më e rënda, ajo e zhdukjes së Enver Stafukës.
(E.K/Faxweb.al)