Ka dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtorit të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Alket Hyseni. Në letrën drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, Hyseni shkruan për arsyet që e shtynë në marrjen e këtij vendimi.
Fillimisht, ai shkruan se “Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pasurive do të luajë rolin e saj të ngarkuar nga ligji në hetimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të kalojnë në muajt në vazhdim në sitën e procesit të Vettingu-t.”
Për shkak të kësaj përgjegjësie, ai shprehet se emri i tij është lakuar së shumti gjatë javëve të fundit, “nga ata që nuk kanë interes që reforma në drejtësi të gjejë një zbatim të shpejtë dhe efikas”.
“Duke qenë i ndërgjegjshëm që reforma në drejtësi është një proces i pathyeshëm, e duke qenë i bindur se është në interesin e të gjithë shoqërisë shqiptare që ky process të zhvillohet sa më shpejt, ndiej se largimi im nga funksioni që kryej do të shërbejë për të eleminuar çdo alibi të të gjithë atyre që frikësohen nga reforma dhe pikësëpari nga Vetting-u”, vijon më tej ai duke falënderuar ata që e kanë mbështetur.
Alket Hyseni mbante postin e kreut të DPP-së që pas largimit të Gent Gazhelit si ambasador në Turqi. Ai ka mbajtur më parë edhe detyrën e kreut të komisionit të Garancive Statutore në Partinë Socialiste. (XH.A/SHUPLAKA)