Ka pasur tensione mes familjarëve të Konstantinos Katsifas dhe gazetarëve të mediave shqiptare, të cilët nuk janë lejuar që të jenë pjesë e homazheve në nderim të të riut që u vra 1 vit më parë nga forcat RENEA në Bularat.
Një prej familjarëve të Katsifas ka debatuar me gazetaren e Fax News Ervina Shehaj, e cila ka kërkuar që të transmetojë filmimet e plota.
“Ju shprehni urrejtje ndaj tij, duket që nga toni i zërit që përdorni”, tha familjari i Katsifas.
“Pse po tregojmë urrjetje? Ku e patë urrejtjen ju, se është shumë ofendim pë ne ky”, iu përgjigj gazetarja Shehaj, ndërsa shtoi se mediat nuk mund të diferencohen në këtë mënyrë, dhe gjithë qëllimi i pranisë së tyre në Bularat, ishte transmetimi sa më i plotë i ceremonisë përkujtimore.
“Ikni zhdukuni. Nuk ju duam ne.. ju nuk na doni. Ikni qërrohuni këtej, Nuk keni të drejtë të na filmoni, ju jeni turq nuk jeni shqiptarë”, ishin disa nga deklaratat e tjera të bëra nga familjarët e Katsifas.
Në homazhet për Katsifas do të marrë pjesë dhe Vangjel Dule, si dhe ish-ministri Spiro Ksera, të cilët janë parë që të mbërrijnë pranë familjes.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme është ndaluar për të hyrë në Shqipëri dhe ekstremisti Babis Karathanos, i cili është shpallur non-grata nga vendi ynë. Më herët ai iu ka bërë thirrje 16 shoqata të minoritetit grek, që më 26 tetor të jenë sa më shumë grekë prezent në Shqipëri.
Ministria e Brendshme e shpalli Karathanos, nëntorin e një viti më parë “non grata” dhe i ndaloi hyrjen në territorin shqiptar bashkë me 54 shtetas grekë, të cilët morën pjesë në ceremoninë mortore të Kostandin Kacifas.
Karathanos u arrestua në Bularat pasi organizoi një turmë të ardhur nga Greqia me autobusë për në ceremoninë e Konstandinos Kaçifas, të bllokonte për rreth 10 minuta, aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë,
Konstandinos Katsifas, u vra më 28 tetor 2018 gjatë një shkëmbimi zjarresh me forcat RENEA. Ditën e varrimit, në Bularat, erdhën rreth 1500 nacionalistë grekë që e përcollën 35-vjeçarin drejt banesës së fundit të veshur me rroba ushtarake. Vrasja e tij nga forcat RENEA shkaktoi shumë tensione mes dy vendeve fqinje.
(E.K/Faxweb.al)