Nga Arben Vata
Edi Rama dhe shumë politikanë të tjerë, e kanë në gjak kontrollin e mediave dhe të gazetarëve, mundësisht deri në qelizë. 10-12 vjet më parë, punoja për Top Channel dhe njëkohësisht kisha komentin tim javor në gazetën Panorama. Në një prej këtyre komenteve, shkruaja për Edi Ramën, (atëkohë kryetar bashkie në Tiranë dhe kryetar i sapozgjedhur i PS) dhe e krahasoja atë me një kryetar bashkie në Athinë që akuzohej për abuzime me pasuritë dhe pronat publike.
Ditën e publikimit të artikullit, rreth orës 06: 30 minuta të mëngjesit, Edi Rama më merr personalisht në telefon. Ishte i nxehur dhe kërkoi shpjegime për artikullin. I thashë se fakti që punoj për Top Channel, nuk i jepte atij të drejtën të mendojë se kjo media ishte një seksion i PS, dhe për rrjedhojë punonjësit e saj nuk mund të jepnin llogari tek kryetari i PS. Llogari për komentet në media nuk na kërkonte as Presidenti i Medias, i ndjeri Dritan Hoxha.
Po ashtu, as unë nuk isha anëtar i ndonjë partie politike dhe aq më tepër i PS. Thelbi i asaj që dua të them nuk është thjeshtë debati dhe fjalët e shkëmbyera me Ramën thjeshtë për një artikull, që ai nëse kishte fakte mund ta përgënjeshtronte në po atë gazetë. Ajo që më bëri përshtypje është fakti sesi një njeri me pozitë të lartë publike dhe politike merr në telefon një gazetar, herët në mëngjes. Me qëllim theksova më lart orën 06: 30 të mëngjesit. Ishte koha kur unë merrja turnin e punës në televizion për të përgatitur lajmet për emisionin e mëngjesit si dhe edicionet e tjera deri në mesditë.
Pyetja që u kam shtruar atëherë kolegëve që u kam treguar këtë histori është : Ky njeri ose nuk fle gjumë gjithë natën dhe gjuan titujt e gazetave herët në mëngjes; ose më keq akoma, është në dijeni të orarit dhe specifikës së punës së çdo gazetari apo drejtuesi në media. Nuk kishte si shpjegohej ndryshe që ai merr dikë në telefon në pikë të mëngjesit. Nëse ai ka pasur dhe ka dijeni edhe për orarin e punës së një gazetari, atëherë, kjo është një shenjë që Rama me të vërtetë është një person që kërkon të kontrollojë në detaje mediat dhe punonjësit e saj.
Pse e tregova këtë detaj të hershëm me Ramën? Për të treguar në fakt se largimi nga puna i Shkullakut, Lelës së fundi, dhe shumë të tjerëve pasi Rama erdhi në pushtet, nuk është thjeshtë ”lëpirje” nga ana e pronarëve. Rama kërkon ta ketë gjithçka nën kontroll, sidomos tani që po afron periudha e zgjedhjeve. Propaganda është arma e tij më e fortë, mjeti që e solli dhe e mban atë në pushtet. Ai nuk do askënd që ta pengojë gjatë rrugës së tij të pushtetit me cdo kusht, qoftë edhe në kontrollin ndaj medias. Me pronarët e zgjidh lehtë, sepse i miklon apo i blen me tendera apo pasuri publike. Të njëjtën synon të arrijë edhe me gazetarët. Nëse nuk ia arrin dot, në lojë futen ose pronarët, ose simpatizantët, ose kriminelët. Rezultati, është i njëjtë.
Spastrimi i mediave nga të pabindurit, ata që guxojnë të thonë të vërtetën apo të mbrojnë thjeshtë interesin e opinionit publik. Rasti i Shkullakut apo Lelës, nuk është i pari. Spastrimi i mediave nisi vetëm pak muaj pas ardhjes së tij në pushtet, duke “pastruar” departamentin e informacionit në Vizion Plus, më pas me mbylljen e disa programeve dhe emisioneve në një numër televizionesh; pasoi me largimin e Andi Bejtes, mbylljen e Agon Channel, largimin e Alida Totës, etj, dhe së fundi të dyshes Shkullaku-Lela. Sigurisht ky nuk është vetëm mëkati i Ramës dhe njerëzve të tij. Kjo është sëmundje në fakt e shumë politikanëve në Shqipëri.
Të cilët ose tentojnë të blejnë dhe përdorin gazetarët për qëllime të tyre; ose në pamundësi, u kërkojnë pronarëve që t’i largojnë ata nga puna. Në raste të tjera, politikanët kanë detashmente të gatshme kriminelësh që të bëjnë të paguash ndryshe. Dhe kjo nuk është vetëm një praktikë e politikanëve të majtë. Ka edhe shumë politikanë të djathtë, që në këto vite kanë ndjekur thuajse të njëjtën praktikë sikurse Rama me gazetarët. Kjo e ka bërë median një pushtet në fakt pa identitet public, por realisht një pasuri publike shumë fitimprurëse për pronaët dhe një pjesë të gazetarëve drejtues. Rama e di shumë mirë që media (pronarët dhe stafet drejtuese në një pjesë të madhe) janë të kapur, ndaj me të drejtë ai e quan median “kazan”. Ndaj edhe shumë pak gazetarë dhe asnjë pronar, guxojnë ta kundërshtojnë atë për këtë gjë. Media është kthyer realisht në një kazan apo lavatrice të politikës. Kjo e fundit shpërlan këtu mëkatet e veta, ndërsa pronarët shfrytëzojnë hapësirën publike për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme. Eshtë një simbiozë interesazh dy palëshe që zgjat më shumë se 15 vjet, dhe që me gjasë do të zgjasë edhe shumë dhe shumë vite të tjera.
Për shkak të debatit për mediat, rasti këtu e do që të përmend Alfred Pezën (një ish-gazetar) dhe lajmin për investimin e familjarëve të tij në një bankë private me një kapital prej 1 milion Euro. Nuk kam asnjë arsye apo interes që ta mbroj Fredin, aq më tepër si politikan. As nuk kam ndërmend që të bëj llogaritarin e financave familjare të dikujt tjetër. Por ne që punojmë në media, e dimë shumë mirë se disa gazetarë dhe drejtues të mediave paguhen me dy bilance. Një bordero ku shkruhet paga më e ulët e mundshme (për të shmangur taksat) dhe një tjetër bordero që është për përdorim të brendshëm të medias ku gazetari nënshkruan realisht rrogën e majme të tij. (Përjashtim mund të bëjë Top Channel që të paktën në kohën e Berishës deklaronte rrogën e saktë të çdo punonjësi).
Fredi dhe shumë të tjerë si ai, kanë mbi 20 vjet që punojnë në media në pozita drejtuese. Të gjithë e dimë se rrogat për disa pozicione kanë qenë mesatarisht 5 mijë euro në muaj (edhe pse në Tatime raportohej p.sh rreth 300 euro). Nëse përdorni telefonin tuaj celular për të bërë llogaritë, jeni të lirë ta bëni. Por do të shikoni se Fredi nuk ka gënjyer me pasurinë që ka deklaruar dhe e sigurtë që nuk e ka krijuar apo vjedhur këtë pasuri nga fondet publike pasi është bërë deputet. Nëse e ka bërë do të ishte një budalla dhe subjekt i ligjit. Sigurisht që rrogën që ka marrë për vite me radhë në media, nuk ka pasur nevoje fare ta konsumojë, sepse duhet ti ketë mjaftuar rroga e bashkëshortes dhe të ardhura të tjera. Nëse per vite me radhë, arrin të sigurosh shumë të ardhura, nuk është mëkat që ti investosh në blerje banesash apo prona të tjera, të cilat nëse shiten vite më vonë, sigurisht që sigurojnë një fitim të konsiderueshëm.
Fredi sigurisht që e mbron vetë veten e tij dhe mënyrën sesi i ka siguruar të ardhurat. Ky është një detyrim i tij ligjor. Ashtu sikurse është në fakt edhe mbrojtja e të drejtave të nëpërkëmbura të gazetarëve, për të cilat ai qoftë si ish gazetar, qoftë si drejtues i komisionit parlamentar të medias, ka heshtur në gjithë këto vite në pushtet. Sikurse ka nevojë për një ”Vetting” për drejtësinë, ka po ashtu nevojë për një ”Vetting”, për një deklarim dhe kontroll të pasurisë për pronarët e mediave si dhe gazetarët në përgjithësi. Nëse bëhet kjo, do të kuptojmë se Fredi nuk është i vetmi që ka pasuri përrallore. Ai të paktën e ka bërë publike, edhe pse për këtë ka qenë i detyruar nga ligji.
Ka shumë gazetarë të tjerë, të rreshtuar në të majtë apo të djathtë, që nuk do të dinë sesi ti justifikojnë paratë që kanë nëpër banka, apo pronat që kanë blerë. Pikësëpari, kjo ka të bëjë me rrogat e majme disa milionëshe që nuk janë deklaruar ndër vite, por edhe me një sërë benefitesh të tjera që ua ka dhënë posti publik që zotërojnë. Sikurse pronarët që bëjnë ”ndere” me politikën në këmbim të pasurive publike, edhe gazetarët në disa raste e shfrytëzojnë klimën e ”kazanit” për ti bërë favore politikës dhe biznesit, në këmbim të shpërbimeve të majme në formën e zarfit apo pronës së patundshme. Kjo ka krijuar ”bashkëjetesën” korruptive politikë-media, e cila ka hyrë shumë thellë në trupin e medias, saqë edhe brezi i ri i gazetarëve i sheh me admirim ”të vjetrit” e pasur. Si mos ti shohë në fakt, kur ata punojnë gjithë ditën për 300-400 Euro në muaj dhe në fund të ditës mblidhen në një banesë me qera apo të blerë me kredi. Ndërsa nga ana tjetër, shefat kapërdisen makinave dhe restoranteve dhe në fund të ditës, janë në dilemë se ku ti investojnë paratë, në blerjen e aksione të bankës, të aksioneve në media, të një vendi në parlament, apo më e pakta të një banese në një ishull të largët…