Në bazë të parashikimit ligjor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka publikuar Raportin Vjetor të Këtij Institucioni ku në bazë të një leximi të imtësishëm të tij gjenden edhe përplasjet që kanë ndodhur mes Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kreut të KED, Ardian Dvoranit.
Kjo përplasje nis me krijimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese me datë 04.03.2019, por që disa muaj më vonë, pikërisht me datë 07.11.2019, Presidenti i dërgoi KED, për dijeni Kuvendit të Shqipërisë dhe Avokatit të Popullit, një sqarim të detajuar për vakancën e krijuar si dhe vendimin që kishte marrë institucioni që drejtohet nga Ilir Meta.
Ky i fundit sqaronte se kishte vendosur të ‘ngrinte’ përzgjedhjen e kandidaturës së radhës për pozicionin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, me arsyetimin se kjo do të vijonte deri kur Kuvendi të zgjedh një emër nga ana e tij, në të kundërt do të priste përfundimin e afatit 30 ditor për këtë organ emërtese.
Në këtë shkresë, sipas Raportit Vjetorit të KED, zbulohet se Presidenti i kishte kërkuar KED plotësimin e praktikës dokumentare me kopje të dokumentacionit të administruar ngav KED në dosjen e kandidimit të secilit prej 4 kandidatëve të lejuar për vendin vakant, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti siç e thamë më lart me 04 Mars të vitit të kaluar, ndërkohë nga ana tjetër, kërkonte bashkëpunimin e Kuvendit që të zgjedhë në një kohë të shkurtër një anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë Raport, KED zbulon se pas klërkesës së Presidentit, tre ditë më vonë thirri një mbledhje për të shqyrtuar qëndrimet dhe arsyetimet e Presidentit dhe kërkesën për dërgimin e kopjeve të plota të dosjeve të kandidimit për 4 kandidatët për vendin vakant.
Në fund të kësaj mbledhje, zbulohet se KED dërgoi pranë Presidentit dhe Kuvendit gjetjet për secilin kandidat si dhe listën e rëndëditjes së tyre
Por çfarë ndodhi më pas?
Nga njëra anë, Presidenti Ilir Meta priste Kuvendin të bënte përzgjedhjen e një emri për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese që në atë kohë nuk e bëri, nga ana tjetër, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shpalli një listë të kandidatëve të kryesuar nga Arta Vorpsi për plotësimin e vakancës, ndërkohë që Presidenti nga ana e tij, zgjodhi emrin e Besnik Muçit i cili ishte ende në procesin e hetimit nga vettingu, gjë e cila shërbeu si argument për të mos u aprovuar në funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, Meta në limitet e afatit kohor për të zgjedhur kandidaturën e tij, vendosi për Marsida Xhaferllari ndërkohë që në skenë kishte dalë një tjetër emër i mbështetur nga Ardian Dvorani, ai i Arta Vorpsit, e cila me një sjellje të paprecedentë, shkoi dhe u betua tek një notere për të marrë postin e gjyqtares në organin më të lartë të gjyqësorit në vend. Por edhe pse mazhoranca e mbështeti këtë emër, nga ana tjetër ajo qëndronte në krye të listës së përzgjedhur nga KED, por vendimi për anëtarin e radhës ishte në dorën e Presidentit. Ndaj edhe ky i fundit, paralelisht me KED, caktoi të dekretonte Marsida Xhaferllarin e cila u bë edhe njëra nga 5 emrat që kishin arritur të merrnin postin e rëndësishëm në GJK.
Përfundimisht, në raportin vjetor zbulohet se Ardian Dvorani ka luajtur në fakt kundër vendimit të anëtarëve të KED, pra të vetë institucionit që drejton, dhe nga ana tjetër emërimi i Arta Vorpsit nuk rezulton të jetë një vendim i KED si institucion.
Raporti vjetor i KED që është dorëzuar në Kuvend pasqyron veprimtarinë e këtij institucioni lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, ku njeh dekretin e Presidentit Ilir Meta për Besnik Muçin.
Raporti pasqyron qartë qëndrimin e KED, si institucion, në përputhje me ligjin dhe kërkesën e Presidentit dhe që nuk ka kompetenca vendimarrëse të formës së prerë. Në raport nuk përmendet në asnjë vend se KED ka marrë vendim për Arta Vorpsin, por njeh vendimmarrjen e Presidentit. Ndërsa Dovrani rezulton se i ka dhënë të drejtën vetes të emërojë dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, një akt që nuk është parashikuar në Kushtetutë dhe në asnjë ligj.
“KED kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për inspector të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtar të Gjykatës Ksuhtetuese. KED shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme”, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati. KED mblidhet sa herë është e nevojshme”, thuhet në raportin vjetor, në në të cilin citohet neni 149/d I Kushtetutës mbi kompetencat e KED.
(F.GJ/FAXWEB.AL)