Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Sipas eurokomisionerit Johannes Hahn Shqipëria ka bërë progres në 5 rekomandimet e lëna nga BE, dhe për këtë shkak negociatat duhet që të hapen.
“Ne kemi folur për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Raporti i këtij viti parashtron progresin që kanë bërë vendet e Ballkanit perëndimor. Mbeten ende shumë sfida përpara. Ne do paraqesim të njëjtin rekomandim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Zbatimi i ligjit dhe stabiliteti mbeten disa nga pikat që duhet të zbatojnë këto vende. Sfida e tretë për këto vende është ekonomia. Vendet duhet të zbatojnë reforma në sajë të përmirësimit të ekonomisë. BE është partneri ynë kryesor por duhen marrë në konsideratë edhe investimet e Kinës.
Shqipëria është duke bërë reforma, transformim të rëndësishëm në fushën e drejtësisë. Ky është një shembull edhe për vendet e tjera. Të dyja vendet kanë bërë progrese. Në këtë bazë komisioni rekomandon hapjen e negociatave për të dy vendet. Kushti kryesor është reforma në drejtësi. Për sa i përket kapitujve 23-24. Të dyja palët duhet të japin kontribut”, tha Hahn.
Ndërkohë një nga shqetësimet më të mëdha mbetet ekonomia e dobët e Shqipërisë.
“Ka ende çështje të rëndësishme në rajon, duhet të kenë më shumë qëndrueshmëri. Nuk duam të importojmë mosmarrëveshjet dypalëshe.
Sfida kryesore mbetet ekonomia, e cila përballet me dobësi. Duhet të reformohen. Çështjen e papunësisë duhet zgjidhur, çështja e emigracionit dhe lindjet e ulëta janë problem. Standardet e jetesës duhet të rriten pasi janë të ulëta”, deklaroi Hahn.
Ndërkohë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut është shprehur dhe eurodeputeti Cristian Preda, i cili ka thënë se BE duhet të mbajë premtimet ndaj këtyre dy vendeve.
“Këshilli i qershorit duhet të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, i kemi kërkuar kushte këtyre vendeve dhe duhet të mbajmë premtimin pasi këto vende i kanë plotësuar kushtet. 5 vite më parë unë kam filluar të punoj me Bosnje Hercegovinën, nuk kishte asnjë vend kandidat tashmë, ka qenë e vështirë, sot kemi një vendim pozitiv për kandidaturën e Bosnjes. Ky është një sinjal pozitiv për këtë vend, por shoh të qartë se Bosnja ndodhet në rrugën e Evropës, janë evidentuar përparimet që janë bërë në demokraci, sidomos reforma në administratë”, tha Preda.
(E.K/Faxweb.al)