Gjatë ditëve të festave shumë njerëz bëhen pjesë e helmimeve nga ushqimi që konsumojnë në këto ditë. Përzjerja e pijeve alkolike dhe joalkolike apo konsumimi i mishit të ndenjur, përzjerrja e ushqimeve të ndryshme janë disa nga prej gabimeve që njeërzit bëjnë të cilat na shkaktojnë helmime. Sipas diteloges Anila Kalleshi nëpërmjet një interviste të dhënë për Gazetën Shqiptare ajo na jep disa këshilla praktike me qëllim shmangien e problemeve shëndetësore pas natës së ndërrimit të viteve.
Intervista:
Znj. Kalleshi, festat e fundvitit karakterizohen nga marrja e shumë kalorive, që shpeshherë kthehen në probleme serioze për shëndetin. Cilët janë personat më të rrezikuar?
Është e vërtetë që festat e fundvitit janë të superngarkuara me kalori. Kjo ndodh pasi vetë trupi në dimër ka tendencën për t’u ushqyer me ushqime me pak më shumë kalori – për të ngrohur temperaturën e trupit, por dhe nga “tryeza bombë-kalorike” e Vitit të Ri, ku gjeli i detit, alkooli, byrekët, bakllavaja bëjnë punën e tyre. Po kështu, riciklimi i ushqimeve pas festave është një tjetër problematikë që rëndon format trupore. Në fakt, pasojat e kësaj mbiushqyerjeje në këto ditë më shumë se kushdo i vuajnë diabetikët, personat që vuajnë nga hipertensioni, kolesteroli i lartë dhe gratë shtatzëna apo fëmijët, që janë pjesa më delikate e shoqërisë. Pjesa tjetër shoqërohet me 3-4 kg më shumë. Pas darkës së madhe, ka mjaft persona që shfaqin probleme shëndetësore dhe përfundojnë në urgjencë.
Një prej problemeve kryesore që vihet re është helmimi nga ushqimet. Cilët janë faktorët e riskut në këtë rast dhe si mund të shmangen?
Ndodh që menjëherë pas festave shfaqen njerëz me helmime nga pijet alkoolike të përdorura si: rakia, vera apo birra. Nuk bëhet fjalë vetëm ata që abuzojnë gjithmonë me alkoolin, por edhe për ata që konsumojnë alkool vetëm atë natë. Ushqime të tjera që mund të shfaqin toksikime të ndryshme janë dhe produktet me origjinë shtazore si mishi me nënproduktet e tij, veza (majoneza që përdoret në sallatën ruse përftohet nga e verdha e vezës e gjallë), ku amvisat i gatuajnë disa orë para se të konsumohen. Po ashtu, kur mishi ftohet, ai është gjithmonë i ekspozuar ndaj baktereve dhe kur bashkohet me produktet e tjera që kanë të njëjtën gjë, situata bëhet më problematike dhe familjarët janë të predispozuar për t’u toksikuar.
Situata përkeqësohet akoma më shumë kur ushqimet riciklohen në ditët pas festave. Mishi duhet të ruhet në ambient të përshtatshëm dhe në temperaturën e duhur. Shumica e njerëzve e neglizhojnë këtë fakt duke menduar se është dimër dhe temperaturat janë të ulëta. Mishi i ndenjur i gatuar 2 ditë më parë dhe që nuk është i ruajtur në kushtet e duhura, shkakton rritjen e baktereve që bëhen shkaktarë për toksiko-infeksione. Problematikë tjetër është që, duke qëndruar me ditë të tëra para televizorit (ditë pushimi), mendja u rri të gjithëve vetëm tek ushqimi dhe krijohet një mbingopje. Kjo mund të shoqërohet me të vjella, këputje.
A ka një sasi të rekomanduar ushqimi, në mënyrë që të shmangim helmimet apo qoftë edhe shtimin në peshë?
Se sa duhet të konsumojmë në fakt, kjo është individuale për çdo njeri. Varet nga organizmi që ka njëri apo tjetri. Një person që punon gjatë dhe që ka një metabolizëm hiperaktiv, nuk e ka problem konsumimin e tepërt të ushqimit, ndërsa dikush që bën një jetë sedentare dhe është një person inaktiv, nuk e përballon dot konsumimin e tepërt të ushqimeve. Personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, ata me hipertension apo ata që vuajnë nga kolesteroli i lartë apo diabeti duhet të jenë shumë të kujdesshëm, duke konsumuar më pak sasi dhe më pak yndyrna. Këta persona duhet të përdorin në masë të vogël produktet ushqimore të mishit. Edhe pse është festë, për këta persona rekomandohet konsumimi i kosit pa yndyrë, frutave, perimeve jeshile të gatuara në avull. Festat nuk mund të kuptohen pa konsumimin e pijeve.
Çfarë rregullash duhet të kemi parasysh, në mënyrë që të evitohen problemet shëndetësore?
Kujdes me alkoolin, sidomos personat që vuajnë nga sëmundje kronike! Shmangni përzierjen e pijeve, nga pijet me gaz, te vera, rakia apo birra, gjë që çon në dehje më të shpejtë. Masa më e mirë e konsumit të alkoolit natën e Vitit të Ri do të ishte jo më shumë se 100 gramë. Kujdes me konsumimin e pijeve me gaz! Në 10 minutat e para pasi kemi pirë një kanoçe, trupit i kemi dhuruar 10 lugë sheqer. Sasia ditore e sheqerit që i duhet trupit tonë është vetëm 10% e kësaj ose 1 lugë. Po kështu, lëngjet në kuti përmbajnë pa fund sheqer artificial, aromatizues e ngjyrosës dhe janë mjaft të varfra me vitamina e minerale. Këshillohet të konsumoni sa më shumë lëngje natyrale frutash dhe sidomos portokalle e agrume, të cilat ndihmojnë mjaft në metabolizmin e yndyrnave.
Ndodh që natën e ndërrimit të viteve shumë njerëz nuk i konsumojnë të gjitha vaktet, me qëllim që t’i lënë sa më shumë vend darkës. Sa e shëndetshme është kjo sjellje?
Gjëja më e mirë që duhet të bëjmë do të ishte konsiderimi i kësaj nate si një natë e zakonshme. (J.V/Shuplaka)