Kombëtarja do të nisë nesër grumbullimin për dy ndeshjet zyrtare ndaj Bjellorusisë dhe Lituanisë të vlefshme për eliminatoret e Ligës së Kombeve (Nations League). Ndërkohë Federata Shqiptare e Futbollit dhe stafi i Kombëtares po punojnë për zgjidhjen e problematikave që janë hasur në lidhje me lëvizjet e futbollistëve nga njëri vend në tjetrin për shkak të masave kufizuese të imponuara nga pandemia COVID-19.
Bëjmë me dije se vazhdojnë bisedimet me qeverinë zvicerane për të bërë të mundur prezencën e dy lojtarëve, Ermir Lenjani dhe Florian Kamberi, të cilët nuk mund të dalin jashtë kufijve të Zvicrës për shkak të masave kufizuese. Ende nuk ka një përgjigje përfundimtare, teksa FSHF është në kontakt të vazhdueshëm, edhe me ndihmën e UEFA-s, për të bërë të mundur grumbullimin e këtyre dy lojtarëve për dy ndeshjet e shtatorit.
Gjithashtu, për ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë nuk do të jetë i gatshëm Armando Broja, i cili është i skualifikuar për shkak të një kartoni të kuq të marrë në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren U-19. Me shlyerjen e skualifikimit, sulmuesi i ri do të jetë nën urdhrat e trajnerit Edoardo Reja dhe i gatshëm për të luajtur për ndeshjen e dytë ndaj Lituanisë.
Listës së Kombëtares i është shtuar orët e fundit edhe emri i Endri Çekiçit (NK Olimpija Ljubljana). Duke parë situatën aktuale trajneri ka vendosur të ftojë sulmuesin pogradecar për ta pasur në dispozicion në rast të ndonjë mungese eventuale.
Marash Kumbulla do t’i bashkohet kampit stërvitor të Kombëtares dhe do t’i nënshtrohet testeve mjekësore. Pas rezultateve të testeve, ekipi mjekësor do të mund të dalë në një konkluzion nëse mbrojtësi do të jetë i gatshëm ose jo për dy ndeshjet e radhës.