Komisioni i Posaçëm Parlamentar Antikorrupsion është ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e dytë, por është bojkotuar sërish nga opozita.
Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj u shpreh se opozita do të duhej të ishte pjesë e mbledhjes, duke iu kërkuar që të reflektojnë.
“Kuvendi ka miratuar me një vendim ngritjen e këtij Komisioni të Posaçëm Parlamentar dhe ka miratuar përbërjen, duke përcaktuar shprehimisht edhe anëtarët që do të jenë nga maxhoranca dhe opozita.
Do të duhej që kolegët e nderuar deputetë të opozitës të merrnin pjesë në mbledhje sipas detyrimit të Kuvendit, por edhe si nevojë e domosdoshme, jetike për të qenë pjesë e një procesi të tillë reformues.
Shpresoj shumë në reflektimin e tyre, besoj që hap pas hapi duke ecur përpara me procesin përgatitor, dhe duke pasur të gjithë ne këtu, edhe opozita apo aktorë të tjerë jashtë politikës që mund të kenë pikëpyetje të tyre, perceptime të tyre për këtë çështje, do të sqarohen më mirë dhe do të kuptojnë kushtetutshmërinë, qëllimin e këtij procesi, rëndësinë që ka ky proces për qytetarët, integrimin e vendit dhe të ardhmen e vendit.
Në ditët në vijim, duke dëshmuar këtë qasje, besoj që opozita dhe shumë faktorë të tjerë që janë ftuar nga ne, do të jenë pjesë e këtij procesi transparent dhe profesional”, tha Xhafaj.