Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet që javën e ardhshme të bëjë një prezantim për përbërjen e Komisionit të ri në Konferencën e Presidentëve në Parlamentin Evropian në Strasburg, pasi kandidati i ri i propozuar ende nuk është zyrtarizuar nga parlamenti slloven.
Në veçanti, qeveria sllovene ka njoftuar Komisionin Evropian, se Parlamenti slloven do të japë opinionin e tij për kandidatin e propozuar për postin e komisionerit të premten.
Vetëm pas këtij hapi nominimi i kandidatit do të jetë i plotë dhe zyrtar, thekson Komisioni.
Mbi këtë bazë, Komisioni i kërkoi Parlamentit Evropian që të shtyjë prezantimin e Presidentes Ursula von der Leyen në Konferencën e Presidentëve mbi përbërjen e Kolegjit të ardhshëm të Komisionerëve, derisa të plotësohet lista e kandidatëve.
Konferenca e Presidentëve me pjesëmarrjen e Ursula von der Leyen do të zhvillohet të martën e ardhshme.