Kryeministri Ramush Haradinaj nuk do të jetë më pjesë e listës së INtERPOL-it. Emri i tij është hequr nga kjo listë dhe që nga tani Haradinaj mund të udhëtojë pa u frikësuar nga ndonjë arrestim. Konfirmimin se Haradinaj nuk është më në këtë listë e ka bërë për Express Ministri i Drejtësisë Abelard Tahti.
Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, ka konfirmuar se emri i kryeministrit Ramush Haradinaj është hequr nga lista e të kërkuarve në INTERPOL.
“ Po, është e vërtetë. Ramush Haradinaj nuk është në këtë listë. Konfirmimi për këtë na ka ardhur sot nga INTERPOL”, ka thënë Tahiri.
Që nga ankesa e bërë nga Policia e Kosovës e deri më sot kanë kaluar më shumë se një vit, por sot, 18 personat e fundit që kanë qenë në kërkim ndërkombëtar nga Serbia për krime lufte apo krime ndaj civilëve gjatë kohës së luftës në Kosovë, janë larguar nga kërkimi në INTERPOL shkruan gazeta Express.
Në mesin e këtyre 18 personave ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në dhjetor të vitit të kaluar qe arrestuar në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, në Mulhouse të Francës. (M.Q/Faxweb)