Si në shumë çështje të ndryshme dy shtetet e të njëjtit komb, Kosova dhe Shqipëria për tema të njëjta të kenë qasje të ndryshme dhe kështu ka ndodhur edhe me menaxhimin e situatës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Drejtuesi i Lëvizje Vetëvendosja në Tiranë, Boiken Abazi, bën një krahasim mes masave që janë marrë në Shqipëri dhe në Kosovë për t’i ardhur në ndihmë biznesit dhe punonjësve të mbetur të papunë.
Në një postim në Facebook, Abazi shkruan ndryshe nga sa kryeministri Rama kërkoi në Shqipëri për të denoncuar pronarët që nuk kanë regjistruar punëtorët, qëveria e Kosovës ka marrë vendim për të mos e penalizuar biznesin (punëdhënësin) nësë regjistron punëtorët informalë me një kontratë të re një vjeçare në këtë situatë pandemie.
“Punëtorët që regjistrohen përfitojnë nga masat qeveritare duke marrë pagën minimale prej buxhetit të shtetit në ato biznese që janë dëmtuar nga kriza ekonomike. Mbi pagën minimale, qeveria e Kosovës mbulon edhe sigurimet shoqërore”, shkruan ndër të tjera Abazi.
Mesazhi i plotë i plotë në Facebook
Krahasim Kosovë – Shqipëri në lidhje me masat e dy qeverive për punëtorët që punojnë në informalitet
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të mos e penalizuar biznesin (punëdhënësin) nësë regjistron punëtorët informalë me një kontratë të re një vjeçare në këtë situatë pandemie. Punëtorët që regjistrohen përfitojnë nga masat qeveritare duke marrë pagën minimale prej buxhetit të shtetit në ato biznese që janë dëmtuar nga kriza ekonomike. Mbi pagën minimale, qeveria e Kosovës mbulon edhe sigurimet shoqërore. Pas regjistrimit nga punëdhënësi, institucionet verifikojnë menjëherë listat e pagave nga muaji paraprak, dhe çdo punëtor i ri i regjistruar në bizneset që kanë pësuar dëme nga kriza përfiton pagën minimale për tre muaj nga buxheti i shtetit, në vlerën 170 Euro në muaj.
Në këtë mënyrë punëdhënësi nuk ka asnjë motiv për ta hequr punëtorin nga puna. Rreth 1000 punëtorë janë regjistruar deri më sot përmes kësaj mase, duke ndikuar në rritjen e formalizimit në ekonomi. Më tej, nësë punëdhënësi refuzon të bëjë regjistrimin/formalizimin e punëtorit me kontratë, atëherë vetë punëtori ka të drejtën të plotësojë nja formular në internet në Agjencinë e Tatimeve të Kosovës për të fituar nga skema sociale 130.00 në muaj për tre muaj, nësë nuk ka të ardhura të tjera. Këto fakte dhe të dhëna zyrtare për këtë çështje sapo i riprezantoi publikisht Ministri i Financave Besnik Bislimi.
Qasja e Qeverisë së Kosovës ndryshon shumë prej qasjes së Qeverisë së Shqipërisë, ku punëtorëve u është kërkuar të bëjnë denoncime dhe të dorëzojnë prova kundër punëdhënësit, duke rritur tensionin. Me qasjen e Qeverisë së Shqipërisë krijohet një situatë absurde ku punëtorit i kërkohet në këtë kohë të masave të distancimit social dhe të izolimit që të kërkojë e dorëzojë prova për denoncimet ndaj punëdhënësit.
Dihet që në një situatë të tillë punëtori mendon se do i ulen shanset për ta mbajtur atë vend pune nëse kryen denoncimin, prandaj ka një arsye më shumë për të mos vepruar. Nuk kemi asnjë të dhënë nga institucionet e Shqipërisë se si e sa ka funksionuar qasja e “denoncimeve” … Në ndërkohë, punëtorët në Shqipëri që kanë punuar në informalitet vazhdojnë të mos e ndjejnë ndihmën e shtetit. 50 % e tregut të punës në Shqipëri funksionon në informalitet, sipas Bankës Botërore.