Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka marrë pjesë në punimet të Kongresit të Junge Union, forumit rinor të CDU/CSU në Gjermani ku është takuar me homologë dhe përfaqësues të organizatave partnere. Këlliçi thekson se vendi ynë rrezikon një eksod tjetër masiv të shqiptarëve
Këlliçi shkruan se ka diskutuar me Kryetarin e komunitetit të të rinjve demokratë në Europë dhe me Kryetarin e unionit ndërkombëtar demokrat të të rinjve në botë, për praktikat më negative që qeveria e Edi Ramës ka implementuar me qeverisjen e tij.
DEKLARATA E KËLLIÇIT
Gjatë punimeve të Deutschlandtag 2017, Kongresit të Junge Union, forumit rinor të CDU/CSU, pata kënaqësinë të takohem me drejtues te forumeve dhe organizatave partnere të FRPD.
Me Kryetarin e Junge Union, z. Paul Ziemiak diskutuam mbi intensifikimin e bashkëpunimit mes dy forumeve si dhe e falënderova përzemërsisht për mbështetjen e pakursyer që i ka ofruar FRPD dhe PD, në mënyrë të veçantë për fjalën e tij në ‘Çadrën e Lirisë’. z. Ziemiak na garantoi se Junge Union së bashku me Fondacionin Konrad Adenauer Stiftung, do japin ndihmesën e tyre në adoptimin e praktikave më të mira të të rinjve të CDU/CSU, për rritjen dhe fuqizimin e FRPD si dhe në funksion të përgatitjes së alternativave dhe një opozitë të fortë e konstruktive ndaj një qeverie që ka shkatërruar çdo mundësi për të rinjtë që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Gjithashtu pata mundësinë të diskutoj me Kryetarin e komunitetit të të rinjve demokratë në Europë (DEMYC), z. Javier Hurtado Mira dhe me Kryetarin e unionit ndërkombëtar demokrat të të rinjve në botë (IYDU), z. Bashir Ëardini, për praktikat më negative që qeveria e Edi Ramës ka implementuar me qeverisjen e tij që nga promovimi i kriminelëve, trafikantëve, mashtruesve e deri tek lehtësirat që i ka krijuar kultivuesve të drogës, që kanë përmbytur vendin dhe Europën me marijuanë “Made in Albania”.
Partnerët tanë u informuan mbi rrezikun e madh të një eksodi tjetër masiv të shqiptarëve, për shkak të gjendjes së rëndë të kriminalitetit në vend si dhe pas implementimit të rritjes së taksave të parashikuara nga qeveria, e cila do të prekë çdo biznes e çdo familje shqiptare. I garantova ata se FRPD së bashku me PD do të bëjnë një opozitë të fortë dhe pa kompromis kundër qeverisë së lidhur me krimin dhe më të korruptuarën që ka pasur ndonjëherë vendi ynë.
Deutschlandtag 2017, i cili këtë vit u organizua në Dresden, pati si folës kryesorë Ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Dr. Thomas de Maiziere, Sekretarin e Përgjithshëm të CDU, Dr. Peter Tauber, Komisionerin Europian për Buxhetin, z. Günther H. Oettinger dhe kulmoi me fjalën e Kancelares Gjermane, Dr. Angela Merkel.